Ish-qiramarrësit në ish-prona private mund të përfitojnë kredi me interes 0%, në kuadër të skemave shtetërore për mbështetjen e familjeve që kanë nevojë për strehim.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi se Enti Kombëtar i Banesave ka publikuar dokumentacionin që duhet të paraqesin qytetarët për të përfituar nga kjo skemë.
Kërkesat për aplikim janë përcaktuar në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 31 korrik 2025.
Për aplikimin kërkohen gjashtë dokumente:
- Vërtetimi për përfitimin e statusit të banorit në ish-pronë private;
- Dokumentacioni që provon marrëdhënien e qiramarrjes;
- Vërtetimi negativ i pronësisë, që dëshmon se aplikanti nuk zotëron pronë;
- Vërtetimi nga organet tatimore se aplikanti nuk është subjekt i TVSH-së;
- Certifikata familjare;
- Dokumentacioni që lidhet me kthimin e pronës.
Interesat e kredisë do të subvencionohen tërësisht nga Buxheti i Shtetit, duke e ulur në 0% koston e interesit për familjet që plotësojnë kriteret.
Skema synon t’u krijojë ish-qiramarrësve mundësi financimi për sigurimin e një banese, pas problemeve të shkaktuara nga kthimi i pronave te pronarët e mëparshëm.
Enti Kombëtar i Banesave u ka bërë thirrje qytetarëve të interesuar të verifikojnë dokumentacionin dhe të ndjekin procedurën e aplikimit përmes platformës e-Albania. /skyweb.al















