Qeveria ka depozituar në Kuvend projektligjin që ndryshon ligjin nr. 66/2023 për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, duke centralizuar procesin pranë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Ndryshimet parashikojnë heqjen e Komisionit të Objekteve të Konfiskuara, krijimin e një grupi të përhershëm teknik pranë AAPSK-së, ngritjen e një fondi të posaçëm dhe përcaktimin e procedurave për përfundimin, përdorimin ose shitjen e objekteve të konfiskuara.
Sipas relacionit shpjegues, kuadri aktual ka shkaktuar vonesa për shkak të vendimmarrjes së fragmentuar ndërmjet Komisionit të Objekteve të Konfiskuara, ministrisë përgjegjëse dhe strukturave të tjera zbatuese. Me ndryshimet e propozuara, AAPSK-ja bëhet institucioni kryesor përgjegjës për administrimin dhe zhvillimin e këtyre pasurive.
Megjithatë, disa vendime do të vazhdojnë të merren nga ministri përgjegjës dhe Këshilli i Ministrave. Përdorimi i fondit të posaçëm do të miratohet nga ministri, ndërsa kalimi i objekteve në pronësi, përdorim ose përgjegjësi administrimi të institucioneve publike do të vendoset nga qeveria, me propozim të AAPSK-së.
Si do të përfundohen pallatet e lëna përgjysmë
Projektligji krijon një mekanizëm të posaçëm për objektet me investim të papërfunduar. AAPSK-ja do të angazhojë ekspertë të licencuar për të përcaktuar gjendjen e ndërtesës, punimet e nevojshme dhe kostot e përfundimit të saj.
Procedurat e prokurimit publik, përzgjedhja e operatorëve ekonomikë, realizimi dhe mbikëqyrja e punimeve, si dhe kolaudimi do të kryhen nga një autoritet kontraktor që caktohet rast pas rasti me vendim të Këshillit të Ministrave.
Projektligji nuk ia ngarkon automatikisht shtetit të gjithë faturën. Për objektet ku janë konstatuar shkelje, kostot e punimeve u kërkohen zhvilluesve, zbatuesve, mbikëqyrësve ose kolauduesve, sipas përgjegjësive dhe angazhimeve të tyre.
Nëse këto subjekte nuk kryejnë punimet ose pagesat e kërkuara, projektligji parashikon marrjen e masave për bllokimin e llogarive bankare apo pasurive të tyre, me qëllim mbulimin e shpenzimeve.
Për objektet e konfiskuara të ndërtuara në truall shtetëror, AAPSK-ja mund të mbështetet te fondi i posaçëm për ndërtimet pa leje ose te fondet e miratuara nga Buxheti i Shtetit.
Objektet mund të përdoren për strehim social
Një pjesë e objekteve të konfiskuara mund të kalojë për nevoja të strehimit social ose për interesa të tjera publike.
Institucionet shtetërore, entet publike dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore mund t’i kërkojnë AAPSK-së kalimin e një objekti ose të një pjese të tij në pronësi, përdorim apo përgjegjësi administrimi.
Projektligji parashikon gjithashtu shitjen, dhënien me qira dhe forma të tjera administrimi. Për këtë arsye, jo të gjitha objektet e konfiskuara do të përdoren domosdoshmërisht për strehim social.
Mbrojtje me kushte për blerësit
Ndryshimet trajtojnë edhe qytetarët që kanë blerë apartamente ose njësi të tjera në objekte që më pas janë konfiskuar.
Autoritetet do të njohin marrëdhëniet kontraktuale ndërmjet zhvilluesit dhe personave të tretë vetëm kur ato mbështeten në kontrata të hartuara përpara noterit dhe të regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës përpara konstatimit të paligjshmërisë.
Pas përfundimit dhe regjistrimit të objektit, AAPSK-ja mund të miratojë kalimin e pronësisë në favor të personave të tretë për njësitë që u takojnë sipas kontratave të mëparshme.
Projektligji parashikon edhe mundësinë e kompensimit financiar, nëse palët bien dakord. Kompensimi do të lidhet me vlerën e punimeve të realizuara në momentin e konfiskimit. Nëse blerësi ka paguar më shumë, diferencën mund t’ia kërkojë zhvilluesit ose subjektit përgjegjës. Këto rregulla do të zbatohen, për aq sa është e mundur, edhe për kontratat e kleringut.
Krijohet fondi i posaçëm
Për financimin e vlerësimeve, punimeve, përshtatjes së objekteve dhe kompensimin e personave të tretë krijohet “Fondi i veçantë/i dedikuar për ndërtimet pa leje”.
Fondi do të financohet nga:
- të ardhurat nga shitja ose dhënia me qira e objekteve të konfiskuara;
- financimet e ligjshme vendase ose të huaja;
- Buxheti i Shtetit.
Fondi do të jetë një zë më vete në buxhetin e AAPSK-së, ndërsa të ardhurat e papërdorura do të transferohen në vitin pasardhës.
Relacioni deklaron se projektligji nuk sjell efekte financiare shtesë për Buxhetin e Shtetit. Megjithatë, vetë teksti e rendit buxhetin si një nga burimet e mundshme të financimit të fondit.
Gjashtë muaj për vetëdeklarimin
Projektligji hap edhe një periudhë kalimtare gjashtëmujore për subjektet që posedojnë ndërtime pa leje.
Subjektet që i deklarojnë vullnetarisht këto objekte pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, do të përfitojnë të drejtën e parablerjes dhe mundësinë për t’iu nënshtruar procedurave përkatëse.
Vetëdeklarimi nuk përbën legalizim automatik të objektit, por u jep poseduesve mundësinë të hyjnë në procedurat e parashikuara nga ligji.
Këshilli i Ministrave do të ketë gjashtë muaj kohë për miratimin e akteve nënligjore./skyweb.al















