Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë podcastit se ka udhëtuar rreth 1.6 milionë kilometra nëpër Shqipëri, gjatë viteve si kryetar i opozitës dhe i qeverisë.
Rama tha se kjo përvojë i ka dhënë një njohje të thellë të vendit dhe realitetit shqiptar, duke pretenduar se është ndër personat që e njeh më mirë Shqipërinë dhe mënyrën se si qytetarët i përjetojnë problematikat.
“1.6 milionë kilometra të rrugëtimit tim në Shqipëri. Të bësh 1.6 milionë kilometra nëpër Shqipëri si kryetar i opozitës dhe i qeverisë do të thotë që të kesh një njohje të thellë të Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Kryeministri foli edhe për protestat, duke thënë se është krenar për pjesëmarrjen e tij në to dhe duke kujtuar episode të së kaluarës politike. Ai përmendi edhe viktimat e protestave pranë Kryeministrisë, duke deklaruar se ka përjetuar humbje jetësh “të marra nga dritaret e kësaj godine”.
Rama solli gjithashtu në vëmendje raste të protestave të qytetarëve dhe mënyrën se si, sipas tij, persona me aftësi të kufizuara janë trajtuar gjatë protestave.
“Unë e di mirë se çfarë do të thotë protestë. Unë kam parë invalidët sesi janë marrë në krah dhe janë keqtrajtuar nga ana tjetër e godinës, kur iu afruan sportelit për të qarë hallin”, tha kryeministri.















