Ushqimet e gatshme po zënë gjithnjë e më shumë hapësirë në frigoriferët dhe vitrinat e supermarketeve në Shqipëri, duke ndjekur një prirje që po forcohet në të gjithë rajonin.
Sallata, byrekë, gatime tradicionale, makarona, produkte të ngrira dhe vakte që kërkojnë vetëm pak minuta për t’u ngrohur po kthehen në një kategori të rëndësishme për rrjetet e shitjes me pakicë.
Arsyeja kryesore është mungesa e kohës. Orari i punës, trafiku dhe ritmi i jetës në qytete, kryesisht Tiranë, po i shtyjnë konsumatorët drejt zgjidhjeve që kalojnë drejtpërdrejt nga rafti ose frigoriferi në tavolinë.
Krahas kohës së kufizuar, ndikojnë edhe familjet më të vogla, personat që jetojnë vetëm dhe kostoja e përgatitjes së një vakti për një ose dy persona.
A po humbet pushimi i drekës në epokën e ushqimit të shpejtë?
Për supermarketet, ky është një treg i ri që mund të rrisë jo vetëm vlerën e shportës, por edhe numrin e vizitave. Qytetari nuk hyn më vetëm për të blerë përbërësit e darkës, por mund të dalë prej andej me darkën e përfunduar.
Prirja është më e avancuar në tregjet e tjera të rajonit. Në Greqi, 41% e konsumatorëve që blejnë ushqime të gatshme thonë se nuk kanë kohë të gatuajnë, ndërsa pjesa e blerësve të kësaj kategorie në supermarkete është rritur nga 16% në 29% brenda një dekade.
Për Shqipërinë nuk ka ende një matje të posaçme publike mbi vlerën e tregut apo shpenzimin mesatar familjar për këto produkte. Megjithatë, zgjerimi i ofertës në supermarkete dhe aplikacione tregon se kërkesa po shtohet.
Ushqimi i gatuar në shtëpi vazhdon të mbetet zgjedhja kryesore për familjet shqiptare, por vakti i gatshëm po fiton terren si zgjidhje për ditët kur koha nuk mjafton.
Në këtë mënyrë, supermarketet po ndryshojnë gradualisht rol, nga vende ku blihet ushqimi për t’u gatuar, në pika ku blihet drejtpërdrejt vakti i radhës. /skyweb.al
















