Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e sotme në Belsh, ku një elektricist ka humbur jetën gjatë punës.
Viktima është Klajdi Zekthi, 33 vjeç, i cili po punonte për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë elektrike pas motit të keq që përfshiu zonën gjatë natës.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 09:00. Sipas të dhënave paraprake, 33-vjeçari ka rënë në kontakt me rrymën e tensionit të lartë, duke marrë dëmtime fatale.
Rrethanat e plota të aksidentit mbeten ende të paqarta dhe pritet që autoritetet të përcaktojnë se si ndodhi kontakti me energjinë dhe nëse gjatë ndërhyrjes ishin zbatuar masat e nevojshme të sigurisë.
Ky është të paktën rasti i pestë i raportuar brenda pak javësh, ku elektricistë kanë humbur jetën gjatë punës në zona të ndryshme të vendit.
Përsëritja e këtyre ngjarjeve ngre pikëpyetje serioze për kushtet e punës, pajisjet mbrojtëse dhe procedurat që ndiqen gjatë ndërhyrjeve në rrjetin elektrik.
Për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të parandaluar humbje të tjera jete, kërkohet një hetim i plotë mbi kushtet në të cilat punonte 33-vjeçari.
Redaksia e Skyweb.al i shpreh ngushëllimet familjes Zekthi për humbjen e rëndë!















