Një kartëmonedhë 20 euro mund të duket si një copë e zakonshme letre, por në të vërtetë është një produkt industrial i pajisur me elemente të shumta sigurie dhe i prodhuar për t’i rezistuar përdorimit të vazhdueshëm.
Ndryshe nga letra e zakonshme, kartëmonedhat euro prodhohen nga fibra 100% pambuku dhe jo nga tul druri. Përdoret pambuk me fibra të shkurtra, i papërshtatshëm për industrinë tekstile, i cili përpunohet për të krijuar letrën e posaçme të sigurisë.
Gjatë prodhimit të letrës vendosen filigrani dhe filli i sigurisë. Më pas fletët kalojnë në disa faza shtypjeje, përfshirë shtypjen offset, serigrafinë dhe teknikën me pllaka bakri.
Kjo e fundit krijon relievin karakteristik që ndihet kur kartëmonedha preket me gisht dhe shërben si një nga elementet për verifikimin e origjinalitetit.
Procesi zhvillohet në shkallë të gjerë. Brenda tetë orësh mund të prodhohen rreth 40 mijë fletë, të cilat pas prerjes përkthehen në afërsisht 2 milionë kartëmonedha.
Banka Qendrore Evropiane nuk publikon një çmim zyrtar të unifikuar për prodhimin e çdo kartëmonedhe. Vlerësimet tregojnë se kostoja arrin në disa eurocentë, në varësi të prerjes dhe elementeve të sigurisë.
Një përllogaritje e publikuar më herët nga Banka Qendrore e Holandës për kartëmonedhën 50 euro vlerësonte letrën e sigurisë në vetëm 0.11 eurocentë për copë, shtypjen offset në 0.07 eurocentë dhe litografinë në 0.13 eurocentë.
Kosto më të lartë kishin materialet e veçanta të sigurisë. Boja që ndryshon ngjyrë kur kartëmonedha anohet kushtonte rreth 1 eurocent, ndërsa shiriti vezullues rreth 0.30 eurocentë. Këto janë përllogaritje të mëparshme dhe jo çmime aktuale, por tregojnë se pjesa më e kushtueshme nuk është vetë letra.
Në fund të vitit 2025, në qarkullim ndodheshin 31.3 miliardë kartëmonedha euro, me një vlerë nominale prej rreth 1.62 trilionë eurosh. Rreth 20-25% e tyre vlerësohet se përdoren jashtë Eurozonës.
Për vitin 2027, Eurosistemi ka planifikuar prodhimin e 3.112 miliardë kartëmonedhave, me vlerë nominale rreth 120.1 miliardë euro. Pjesën më të madhe e zënë prerjet 50 euro, me rreth 1.09 miliardë copë.
Prodhimi ndahet ndërmjet bankave qendrore kombëtare, të cilat porosisin sasi të caktuara dhe mbulojnë kostot përkatëse. Kartëmonedhat nuk shpërndahen thjesht sipas numrit të banorëve të çdo vendi.
Kostoja vazhdon edhe pasi paratë dalin në qarkullim. Gjatë vitit 2025, bankat tregtare kthyen pranë bankave qendrore 24.5 miliardë kartëmonedha, me vlerë rreth 833 miliardë euro.
Kartëmonedhat kontrollohen nga pajisje të posaçme. Ato që janë ende në gjendje të mirë rikthehen në qarkullim, ndërsa të dëmtuarat ose të konsumuara shkatërrohen dhe zëvendësohen.
Ndërkohë, BQE-ja po përgatit gjeneratën e re të euros. Dhjetë propozime kanë kaluar në fazën përfundimtare të konkursit, ndërsa qytetarët evropianë mund të votojnë deri më 21 shtator 2026.
Përzgjedhja përfundimtare pritet në fund të vitit, por kartëmonedhat e reja nuk do të dalin menjëherë në qarkullim. Zhvillimi i elementeve të sigurisë, testimi dhe përshtatja e pajisjeve të prodhimit e kontrollit do të kërkojnë disa vite.
















