Një “çelës fikjeje” për inteligjencën artificiale (AI), i cili mund të verifikohet nga një palë e tretë, mund të duhet të bëhet i detyrueshëm për kompanitë, ka thënë për BBC bashkëthemeluesi i një prej kompanive më të mëdha të AI në botë.
Jack Clark, një nga shtatë themeluesit e Anthropic, tha se një mënyrë për të fikur plotësisht programet e inteligjencës artificiale nëse ato bëhen tepër të rrezikshme është diçka për të cilën shoqëria “mund të dëshirojë që në të ardhmen të vendosë rregulla”.
Clark tha se “shumica e laboratorëve kanë mënyra të ndryshme për të qenë në gjendje ta shkëpusin sistemin”, përfshirë edhe Anthropic, por shtoi se ligjvënësit mund të duhet të kërkojnë që çdo kompani të ketë një mekanizëm të tillë.
Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale dhe frika për rreziqet që ajo paraqet për njerëzimin janë vënë në qendër të vëmendjes nga një sërë paralajmërimesh të drejtuesve dhe punonjësve të kompanive të AI.
Disa prej tyre kanë deklaruar publikisht se ekziston mundësia që teknologjia, nëse lihet pa kontroll, të zhdukë të gjithë njerëzimin.
Drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, bëri thirrje gjatë fundjavës që ritmi i zhvillimit të AI të ngadalësohet dhe të monitorohet më nga afër. Kompania ka bërë thirrje të ngjashme edhe më parë, megjithëse disa kanë vënë në pikëpyetje motivet pas këtyre deklaratave.
Amodei shtoi se çdo masë për të frenuar zhvillimin e AI duhet të ndërmerret “pa sakrifikuar avantazhin tregtar”.
Clark i tha BBC-së se detajet mbi kërkesat për një “çelës fikjeje” dhe mënyrën se si ai do të verifikohej duhet të jenë pjesë e “diskutimit më të gjerë të politikave” që po zhvillohet rreth inteligjencës artificiale.
“A duhet t’i detyrosh kompanitë që patjetër të kenë një çelës fikjeje? A është ky çelës i verifikueshëm nga një palë e tretë?”, pyeti ai.
“Besoj se kjo është pikërisht lloji i gjërave që shoqëria do të dëshirojë t’i dijë dhe për të cilat mund të dëshirojë të vendosë rregulla në të ardhmen.”
Anthropic, e cila u krijua në vitin 2021 nga një grup ish-punonjësish të rivalit të saj OpenAI, është aktualisht në qendër të debatit për sigurinë e inteligjencës artificiale.
Javën e kaluar, një postim i një studiuesi të inteligjencës artificiale, i cili u largua nga Anthropic për shkak të shqetësimeve se AI mund të zhdukë njerëzimin, u përhap gjerësisht në internet.
Në përgjigje të tij, shkencëtari i Anthropic, Evan Hubinger, tha se personalisht mendon se mundësia që AI të shkaktojë zhdukjen e njerëzimit është më shumë se 10% brenda dekadës së ardhshme.
Shkencëtari i informatikës dhe fituesi i çmimit Nobel, Geoffrey Hinton, i njohur si “Kumbari i AI”, i tha BBC-së të premten se një mundësi prej 10% që AI të vrasë të gjithë njerëzit “nuk është e paarsyeshme”.
Ai dhe të tjerë që ndajnë shqetësime të ngjashme kanë sugjeruar se AI mund ta bëjë këtë duke marrë kontrollin e sistemeve të rëndësishme të lidhura me internetin dhe duke i përdorur ato kundër njerëzimit.















