Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, një prej projekteve më ambicioze të qeverisë shqiptare për zhvillimin e turizmit në jug, ka mbetur peng i pazareve mes dy ortakëve të koncesionit, Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit.
Një investim strategjik, që duhej të sillte turistë direkt në Rivierën shqiptare dhe të zgjaste sezonin përtej muajve të verës, po mbahet i bllokuar nga hesapet e paqëruara mes dy biznesmenëve. Përplasja e tyre nuk ka nisur në Vlorë, por, sipas versionit të bërë publik nga Ademi, në një projekt të përbashkët në Bengazi të Libisë.
Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Ademi deklaroi se marrëdhëniet me Pacollin u prishën në maj 2025, pasi ky i fundit dyshohet se tentoi t’i merrte një prej njerëzve të tij të angazhuar në projektin e Bengazit. “Atje kuptova diçka të madhe”, deklaroi Ademi, duke e akuzuar publikisht Pacollin për mashtrim.
Çfarë nisi në Libi u transferuanmë pas në Shqipëri duke marrë peng Aeroportin e Vlorës. Dy ortakët nisën të akuzonin njëri-tjetrin për mashtrim, falsifikim, vonesa në punime dhe tentativa për marrjen e kontrollit të shoqërisë koncesionare VIA.
Konflikti nuk mbeti vetëm në gjykata. Ai u zhvendos edhe në kantier, ku punonjësit dhe nënkontraktorët e “Mabco”-s u penguan të hynin, ndërsa punimet u ndërprenë. Palët përdorën Aeroportin e Vlorës për t’i bërë “gol” njëra-tjetrës, pa marrë parasysh se projekti ishte ndërtuar për t’i shërbyer një vendi të tërë.
Aeroporti parashikohej të vihej në funksion brenda marsit 2026, në përfundim të afatit maksimal të ndërtimit. Megjithëse në maj 2025 u zhvillua fluturimi i parë certifikues, fluturimet e rregullta tregtare nuk nisën dhe aeroporti vazhdon të mos jetë funksional.
Faturën e kësaj lufte private po e paguajnë shqiptarët dhe ekonomia e jugut. Në bregdet janë investuar miliarda euro në resorte, hotele dhe struktura akomoduese, përfshirë projekte të lidhura me marka të njohura ndërkombëtare. Aeroporti u është paraqitur investitorëve si garancia që do të sillte turistë direkt në jug dhe do ta kthente zonën në një destinacion gjithëvjetor.
Por ndërsa aeroporti mbetet i mbyllur, shumë hotele vazhdojnë të operojnë vetëm gjatë verës dhe të mbyllin një pjesë të kapaciteteve në dimër. Turistët e premtuar nuk kanë ardhur, ndërsa Pacolli dhe Ademi vijojnë betejën për aksionet, administrimin dhe kontrollin e koncesionit.
Përballë këtij bllokimi, Ministria e Infrastrukturës nisi më 5 gusht procedurën për zgjidhjen e parakohshme të kontratës. Qeveria synonte të merrte kontrollin e aeroportit dhe të gjente një operator tjetër, me qëllim përfundimin e projektit dhe vënien e tij në funksion.
Por edhe kjo përpjekje është bllokuar. Sipas Kapitali.al, me një urdhër emergjent të datës 16 shtator 2026, arbitri i emëruar në procedurën e administruar nga ICC-ja urdhëroi Ministrinë të mos marrë posedimin ose kontrollin operacional të aeroportit.
Qeveria nuk mund të kërkojë dorëzimin e aseteve, të largojë shoqërinë koncesionare VIA apo t’ia kalojë projektin një operatori tjetër. Urdhri ndalon çdo veprim që mund të ndryshojë gjendjen ekzistuese deri në krijimin e Tribunalit të Arbitrazhit dhe shqyrtimin e çështjes në themel.
Kështu, Shqipëria rrezikon të mbetet edhe për vite pa Aeroportin e Vlorës. Një projekt strategjik për turizmin dhe ekonominë kombëtare është kthyer në fushëbetejën e dy biznesmenëve që po përpiqen të zgjidhin në Vlorë hesapet e nisura në Libi. Ndërsa ata luftojnë për aksionet, turizmi shqiptar vazhdon të humbasë kohë, turistë dhe miliona euro të ardhura prej dy individëve…. /skyweb.al















