Gratë në kujdesin shëndetësor në Evropë — një sektor ku ato dominojnë — fitojnë me mesatare 19% më pak për orë se burrat, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një raport të ri. Sekori i shëndetësisë dhe kujdesit është punëdhënësi i katërt më i madh dhe punëdhënësi më i madh i grave në Rajonin Evropian të OBSH-së. Gratë përbëjnë 77% të fuqisë punëtore në kujdesin shëndetësor, krahasuar me 45% në të gjithë sektorët e tjerë të marrë së bashku. Megjithatë, ato përbëjnë vetëm 55% të punonjësve me të ardhurat më të larta në këtë sektor.
“Gratë përbëjnë shumicën e njerëzve që mbajnë në këmbë sistemet e shëndetësisë në Evropë, e megjithatë ato paguhen më pak se kolegët e tyre burra — një hendek që akumulohet gjatë gjithë karrierës,” tha Natasha Azzopardi Muscat, drejtoreshë e Divizionit për Systemet Shëndetësore në OBSH Evropë.
Hendeku i pagave gjinore — diferenca në pagat mesatare midis burrave dhe grave që janë të punësuar me pagesë — në pagën me orë është më i madhi në nivelet më të larta të pagave, duke variuar nga një hendek prej 2% mes atyre me pagat më të ulëta, në mbi 22% në majën e shpërndarjes së pagave. Sektori është veçanërisht i rëndësishëm për punësimin e grave, zbuloi raporti. Ai përfaqëson pothuajse 17% të të gjithë punësimit të grave, krahasuar me 5% për burrat.
Këto gjetje ndjekin të njëjtin model të dokumentuar në tregun më të gjerë të punës: pabarazi strukturore e theksuar që intensifikohet në nivele më të larta pagash dhe drejtimi.
Në nivel global, sektori i shëndetësisë pasqyron Evropën, me gratë që fitojnë me mesatare 24% më pak se burrat — një hendek më i gjerë se në shumë industri të tjera.
Çfarë fshihet pas kësaj diference?
Autorët vunë re se një pjesë e hendekut të pagave në sektorin e kujdesit shëndetësor mund të shpjegohet me faktorë që lidhen me punën, si mosha, arsimi, sektori i punësimit (publik kundrejt privatit) dhe lloji i punësimit (me orar të plotë kundrejt orarit të pjesshëm).
Përshtatja e të dhënave për këta katër faktorë e ul hendekun e pagës me orë nga 19% në 6% dhe hendekun e pagës mujore nga 28% në 10%.
Megjithatë, hendeku i mbetur nuk mund të shpjegohet me asnjë nga faktorët e matur në të dhëna.
“Pjesa më e madhe e këtij hendeku nuk vjen ngaqë gratë punojnë më pak orë, janë më të reja në moshë apo punojnë në pjesë të ndryshme të sektorit,” shpjegoi Azzopardi Muscat. “Gjithçka lidhet me mënyrën se si sektori e vlerëson punën e grave. Mosha, arsimi, orët e punës dhe punësimi në sektorin publik kundrejt atij privat ndihmojnë në shpjegimin e vetëm një pjese të tij.”
Sipas OBSH-së, raporti tregon faktorë më të thellë strukturorë, si nënvlerësimi i punës së kujdesit, segregacioni profesional dhe diskriminimi i mundshëm në praktikat e caktimit të pagave.
Sa më shumë i feminizuar të jetë një kategori profesionale, aq më pak paguhet, një model ky që qëndron si në rolet drejtuese, ashtu edhe në ato profesionale e teknike. Rolet menaxheriale në shëndetësi dhe kujdes, për shembull, punësojnë më shumë gra se rolet menaxheriale në sektorë të tjerë dhe paguajnë më pak për to: 22 euro për orë me mesatare, përkundrejt 24.70 eurove në role të krahasueshme diku tjetër.
Kostoja më e gjerë e hendekut
Hendeku i pagave gjinore mbetet një nga format më këmbëngulëse të pabarazisë në tregun e punës, vuri në dukje OBSH.
Marrë parasysh se sa gra punojnë në shëndetësi dhe kujdes, ky hendek mund të ketë pasoja të rëndësishme ekonomike dhe sociale.
Raporti vëren se kjo pabarazi mund të çojë në të ardhura më të ulëta gjatë gjithë jetës dhe të drejta më të ulëta për pension, të rrisë rrezikun e grave për të rënë në varfëri, të ulë kthimin nga arsimi dhe të dëmtojë rritjen ekonomike të qëndrueshme.
“Kjo do të thotë pensione më të ulëta, më pak siguri financiare në pleqëri dhe një rrezik më i lartë varfërie për gratë që kanë kaluar jetën e tyre të punës duke u kujdesur për të tjerët,” tha Azzopardi Muscat.
“Kjo nuk është një coficidencë dhe nuk ka të bëjë me kualifikimet. Gratë po paguhen më pak për të njëjtën punë dhe po anashkalohen për rolet që paguajnë më shumë.”
Mbyllja e hendeqeve të pagave gjinore është prandaj si një imperativ barazie, ashtu edhe një investim në një fuqi punëtore shëndetësore më të fortë dhe më të qëndrueshme, vuri në dukje agjencia ndërkombëtare e shëndetësisë.
Për këtë qëllim, ato sugjerojnë veprime të synuara, që nga siguria për transparencën e pagave dhe lehtësimi i përfaqësimit të grave në pozicione vendimmarrëse, e deri te trajtimi i normave dhe stereotipave gjinorë.
















