Zgjohesh duke u ndier keq, por përpara ke një ditë të rëndësishme në punë.
Çfarë bën? Nëse përgjigjja është të shkosh në punë (ose të kyçesh nga shtëpia), nuk je i vetmi.
Hulumtimet sugjerojnë se nga një e treta deri në gjysmën e njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar vazhdojnë të punojnë edhe kur janë të sëmurë – diçka që ekspertët e quajnë “presenteeism”, pra prania në punë pavarësisht sëmundjes.
Dhe mënyra se si e trajton mungesën për shkak të sëmundjes tregon shumë për ty si individ, por edhe për vendin ku punon.
Të rinjtë kanë më pak gjasa të marrin leje mjekësore
“Brezi i ri etiketohet si ‘brez delikat’, por kjo nuk është e vërtetë”, thotë psikologu i Universitetit të Mançesterit, profesor Sir Cary Cooper, një nga ekspertët kryesorë në botë për mirëqenien në vendin e punës.
Të dhënat nga Zyra për Statistikat Kombëtare e Mbretërisë së Bashkuar e mbështesin këtë pikëpamje.
Punonjësit e moshës 16 deri në 24 vjeç morën mesatarisht 2.4 ditë pushim për shkak të sëmundjes vitin e kaluar, krahasuar me 6.2 ditë për ata të moshës 50 deri në 64 vjeç.
Sir Cary, i cili ka këshilluar qeverinë britanike për politikat e punësimit në këtë fushë, thotë se ka disa arsye për këtë.
Punonjësit e rinj kanë më shumë gjasa të punojnë në pozicione ku ka pak siguri në punë, si për shembull kontratat me orar zero.
Ata gjithashtu kanë më pak gjasa të vuajnë nga probleme shëndetësore afatgjata dhe problemet e kyçeve, të cilat janë ndër faktorët kryesorë që kontribuojnë në mungesat nga puna për arsye shëndetësore.
Ka një sërë faktorësh që ndikojnë në mënyrën se si dikush e trajton mungesën nga puna për shkak të sëmundjes.
Për disa njerëz, puna është e lidhur ngushtë me identitetin e tyre. Psikologët e punës e quajnë këtë “qendërzim te puna” (work centrality) dhe studimet e lidhin atë me angazhim, përkushtim dhe gatishmëri më të madhe për të bërë më shumë sesa kërkohet.
Nëse puna është pjesë qendrore e asaj që je, mungesa mund të të bëjë të ndihesh sikur po humbet përkohësisht një pjesë të vetes.
“Këta njerëz ndiejnë një dëshirë të fortë për të vazhduar të paraqiten në punë”, thotë Dr Audrey Tang, psikologe që shkruan për mirëqenien në vendin e punës.
Ajo thotë se kjo prirje është veçanërisht e fortë te njerëzit që punojnë në profesione që lidhen me kujdesin ndaj të tjerëve, si mjekësia, infermieria dhe arsimi.
“Shpesh thonë se do të preferonin të pësonin një aksident fizik, në mënyrë që të kishin një arsye për të mos shkuar në punë, sesa thjesht të merrnin një ditë pushim.”
Të tjerë kanë frikë se do të konsiderohen të dobët ose dembelë. Sipas Tang, punonjësit e rinj janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj kësaj.
Çfarë tregon kjo për vendin ku punon?
Kultura dhe sjellja në vendin e punës mund të ndikojnë ndjeshëm në gatishmërinë e njerëzve për të marrë pushim kur janë të sëmurë, thotë psikologia Dr Tara Quinn-Cirillo.
Kur ekipet janë të mbingarkuara dhe ka pak ose aspak mundësi zëvendësimi, punonjësit e dinë se mungesa e tyre do t’ua shtojë ngarkesën kolegëve.
“Roli i fajit dhe turpit është i rëndësishëm në një organizatë toksike që i jep përparësi produktivitetit mbi shëndetin dhe mirëqenien”, thotë Quinn-Cirillo.
“Në disa vende pune ekziston një kulturë e ‘vazhdojmë përpara’, e cila i nxit njerëzit të vazhdojnë punën edhe kur duhet të pushojnë.”
Kultura të tilla e shpërblejnë praninë në punë pavarësisht sëmundjes. Punonjësit ndihen të vlerësuar kur paraqiten në punë pavarësisht gjendjes së tyre dhe mesazhi përhapet shpejt kur menaxherët lavdërojnë njerëzit që vazhdojnë të punojnë edhe kur janë të sëmurë.
Si ta kuptosh kur je shumë i sëmurë për të punuar?
Vendimi nëse je shumë i sëmurë për të punuar nuk është gjithmonë i thjeshtë.
Për sëmundjet fizike, Tang thotë se ekzistojnë disa rregulla të përgjithshme të mirëpërcaktuara.
“Nëse po vjell, ke diarre ose temperaturë, duhet të qëndrosh në shtëpi përkatësisht 48 orë dhe 24 orë pasi simptomat të kenë kaluar. Në këto raste, gjithsesi nuk ka shumë gjasa të jesh në gjendje të punosh në mënyrë efektive.”
Përtej këtyre rasteve, vendimi bëhet më kompleks, sipas Tang.
“Zona më gri është ajo e kollës dhe ftohjes. Që nga Covid-i, etika në vendin e punës ka ndryshuar – në përgjithësi konsiderohet e sjellshme të punosh nga shtëpia.”
Por ajo thekson se një gjë është e panegociueshme: shëndeti mendor duhet të trajtohet njësoj si shëndeti fizik.
“Nëse je i sëmurë dhe nuk je në gjendje të punosh, atëherë je i sëmurë dhe nuk je në gjendje të punosh.”
Quinn-Cirillo shton: “Në fund të fundit, gjithçka lidhet me aftësinë për ta kryer punën, pavarësisht nëse bëhet fjalë për shëndetin fizik apo mendor.”
Një tjetër shenjë paralajmëruese është kur puna fillon të ndikojë te kujdesi bazë për veten, thotë ajo.
“A po ndryshon aftësia jote për t’u kujdesur për veten? A je në gjendje të çlodhesh dhe të shkëputesh nga puna? A po fle mirë?”
Nëse përgjigjja është jo, mund të jetë një shenjë se pushimi është pikërisht ajo që të nevojitet.
















