Shqiptarët po paguajnë ushqimet më shtrenjtë se qytetarët e disa vendeve të rajonit, por qeveria ende nuk e di tamam se çfarë po i rrit çmimet përgjatë zinxhirit të tregtimit.
Këtë e pranoi ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë takimit me drejtuesit e supermarketeve dhe furnitorët për platformën “Pasqyra e Çmimeve”.
Rrjedhimisht, kur nje problem nuk zbërthehet dot, nuk mund të jepet zgjidhje për të.
Ibrahimaj deklaroi se forcimi i lekut dhe zhvlerësimi i euros duhej të kishin sjellë uljen e çmimeve, pasi të paktën 40% e produkteve të shportës importohen.
Por kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, çmimet e ushqimeve kanë vijuar të rriten dhe tashmë, sipas ministres, janë mbi mesataren e vendeve të rajonit.
“Sigurisht që besoj se ka arsye pse kjo nuk ka ndodhur, por duhet të kuptojmë se çfarë ndodh, ku dhe pse çmimet vazhdojnë të rriten në vend”, deklaroi Ibrahimaj.
“Në vitet e fundit, ne të gjithë bashkë kemi parë, kemi diskutuar dukuri të cilat duhet të kishin ndikuar në reduktimin e çmimeve. Për shembull, nënvlerësimi i euros, mbivlerësimi i lekut, pra forcimi i lekut duhet të kishte ndikuar domosdoshmërisht në një reduktim të çmimeve, duke qenë se minimalisht 40% e produkteve të shportës importohen.
Që do të thotë që për ne, për konsumatorët shqiptarë, nga momenti që leku është më i fortë, ato produkte duhet të jenë pak më të lira. Sigurisht që besoj që ka arsye pse kjo nuk ka ndodhur, por për ta kuptuar më mirë këtë dukuri, ne duhet të kuptojmë se çfarë ndodh, ku dhe pse çmimet vazhdojnë të rriten në vend.
Çfarë ndodh kur duhet të ulen për shkak të forcimit të lekut, për shkak të zhvillimeve pozitive në ekonominë shqiptare? Pse këto zhvillime pozitive nuk transferohen te konsumatorët?”, tha ministrja.
Ajo iu referua raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilit inflacioni i importuar ka qenë në rënie gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit.
Kjo, sipas ministres, do të thotë se aktualisht janë produktet vendase ato që po shtrenjtohen më shumë.
“Po pse janë ato më të shtrenjta? Kush është hallka e zinxhirit që i rrit ato?”, pyeti Ibrahimaj përballë përfaqësuesve të tregut.
Për ta zbuluar këtë, qeveria po përgatit platformën “Pasqyra e Çmimeve”, ku qytetarët do të mund të krahasojnë çmimet e produkteve në rrjetet e ndryshme të supermarketeve.
Ministria u kishte kërkuar supermarketeve një listë me produktet më të shitura, ku të përfshiheshin ushqimet e shportës dhe produktet e higjienës.
Për secilin produkt kërkohej një alternativë e prodhuar në Shqipëri dhe një alternativë e importuar, në mënyrë që të analizoheshin të dyja kategoritë.
Megjithëse iu lanë dy javë kohë, vetëm një rrjet supermarketesh e dorëzoi listën e kërkuar.
Ibrahimaj tha se një informacion i tillë mund të nxirrej nga supermarketet brenda një ore dhe kritikoi mungesën e bashkëpunimit nga pjesa tjetër e tregut.
Qeveria ka propozuar gjithashtu krijimin e një liste produktesh bazë për shtresat në nevojë, të cilat supermarketet do t’i shisnin me fitim minimal ose pa fitim deri në fund të vitit.
Por edhe për këtë propozim reagoi vetëm i njëjti subjekt që kishte dorëzuar listën e parë.
Ministrja u kërkoi kompanive që, krahas fitimit, të marrin parasysh edhe mbrojtjen e konsumatorëve, në kushtet kur çmimet në Shqipëri janë rritur mbi mesataren rajonale.
Platforma e re synon të sjellë transparencë dhe konkurrencë, por deklaratat e ministres tregojnë se qeveria ende nuk ka një përgjigje të qartë se ku krijohet shtrenjtimi dhe kush përfiton prej tij.















