Çfarë duhet të studioj? A duhet ta lë punën? A është koha për t’u divorcuar? A jam gati të kem fëmijë? Gjatë jetës përballemi vazhdimisht me vendime që mund të ndryshojnë të ardhmen tonë.
Përballë dilemave të mëdha, shumë njerëz nuk arrijnë të zgjedhin. Ata mbeten të bllokuar mes alternativave dhe shtyjnë vendimin, duke shpresuar se përgjigjja do të bëhet më e qartë me kalimin e kohës.
Por sa më gjatë që përpiqemi të gjejmë zgjedhjen e përsosur, aq më shumë mund të ndihemi si në rërë të lëvizshme: çdo përpjekje për të dalë na zhyt edhe më thellë.
Filozofja amerikane dhe pedagogia e Universitetit të Oksfordit, Ruth Chang, argumenton se kjo vështirësi lidhet me mënyrën se si i vlerësojmë alternativat. Zakonisht përpiqemi të rendisim anët pozitive dhe negative të çdo zgjedhjeje. Bëjmë lista, kërkojmë këshilla dhe analizojmë çdo skenar të mundshëm, por sërish nuk arrijmë te një përgjigje përfundimtare.
Kjo ndodh sepse, në vendimet e vështira, njëra alternativë nuk është domosdoshmërisht më e mirë se tjetra. Secila mund të jetë më e favorshme në disa drejtime dhe më e dobët në disa të tjera.
Një ofertë pune në një qytet tjetër mund të sjellë të ardhura dhe standard më të mirë jetese, por edhe largim nga familja dhe miqtë. Qëndrimi në vendin aktual mund të ruajë stabilitetin, por jo domosdoshmërisht kënaqësinë profesionale.
Në situata të tilla nuk ekziston gjithmonë një përgjigje objektivisht e drejtë. Zgjedhjet përfaqësojnë dy versione të ndryshme të së ardhmes dhe pikërisht kjo e bën vendimin kaq të vështirë.
Shpesh, kur nuk vendosim vetë, lejojmë që frika, zakoni ose njerëzit përreth të vendosin në vendin tonë.
Mund të qëndrojmë në një punë që nuk na përmbush sepse kemi frikë nga pasiguria. Mund të vazhdojmë një marrëdhënie të konsumuar vetëm sepse situata është e njohur ose sepse të tjerët presin diçka prej nesh. Edhe mosmarrja e një vendimi është në vetvete një zgjedhje. Në këtë rast, e ardhmja përcaktohet nga rrethanat dhe jo nga ajo që duam realisht.
Sipas Chang, edhe sikur të mund të shihnim të ardhmen, dilema nuk do të zgjidhej domosdoshmërisht. Do të shihnim vetëm dy jetë të ndryshme, secila me momentet e saj të bukura dhe vështirësitë përkatëse.
Për këtë arsye, ajo sugjeron që të mos kërkojmë me çdo kusht zgjedhjen “më të mirë”, por të ndryshojmë pyetjen që i bëjmë vetes.
Në vend që të pyesim se cila alternativë është objektivisht superiore, duhet të mendojmë se çfarë ka rëndësi për ne dhe çfarë lloj personi duam të bëhemi. Vlera e një vendimi nuk përcaktohet vetëm nga faktorët e jashtëm. Ajo krijohet edhe nga angazhimi ynë ndaj rrugës që zgjedhim.
Kur marrim përgjegjësi për një zgjedhje, nuk po zbulojmë thjesht të ardhmen tonë, por po marrim pjesë aktivisht në ndërtimin e saj.
Vështirësia për të vendosur mund të shihet kështu jo vetëm si burim ankthi, por edhe si një mundësi për të kuptuar më mirë veten. Pyetja vendimtare nuk është gjithmonë “Cila zgjedhje është më e mirë?”, por “Kush jam dhe kush dua të bëhem?”. /skyweb.al















