Gjatë vitit 2026, Bashkia e Himarës ka zhvilluar një sërë procedurash prokurimi publik që ngrejnë dyshime serioze mbi transparencën dhe konkurrencën.
Thuajse të gjithë tenderat janë karakterizuar nga mungesa e garës reale, duke u dhënë drejtpërdrejt një kompanie të vetme ose duke skualifikuar operatorët e tjerë, edhe pse ata kanë paraqitur oferta më të ulëta se fituesi.


Ky standard i ndjekur nga Bashkia e Himarës, e drejtuar nga Vangjel Tavo, ka krijuar perceptimin e një procesi të paracaktuar, ku fondet publike kanalizohen në mënyrë të përsëritur tek operatorë të caktuar.
Në një vëzhgim të kryer nga Kliknews.al, në më pak se pesë minuta në faqen e OpenData Albania, janë identifikuar mbi 13 tendera të zhvilluar nga Bashkia e Himarës, të gjithë të klasifikuar me Flamur të Kuq. Këto procedura lidhen kryesisht me investime që përkojnë me fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të vitit 2027.



Panorama e tenderave të vitit 2026 tregon se ose ka pasur vetëm një konkurrent, ose operatorët me ofertë më të ulët janë skualifikuar për arsye formale, duke e bërë të qartë se fituesit ishin të paracaktuar.


Ky fenomen nuk është i izoluar vetëm në vitin 2026. Praktika të ngjashme janë evidentuar edhe më herët, ku ofertat fituese shpesh kanë qenë shumë pranë fondit limit, ndërsa operatorët e tjerë janë eliminuar me justifikime formale.
Ky model i përsëritur përbën një shkelje të parimeve të barazisë dhe transparencës në prokurimet publike.

Si rezultat, Bashkia e Himarës është vendosur në qendër të kritikave për menaxhimin e fondeve publike, duke krijuar një histori të vazhdueshme praktikash të dyshimta që dëmtojnë konkurrencën e lirë dhe besimin e qytetarëve në institucionet vendore. /kliknews.al















