Shpesh mendojmë se alergjitë janë rezultat i një predispozite të pafavorshme që e trashëgojmë që në fëmijëri, apo edhe para lindjes. Por, sipas alergologes Kelly Colas, “çdo person, në çdo moment të jetës, mund të zhvillojë një alergji të re”.
Alergjitë mund të shfaqen në çdo moshë, edhe kur një person nuk ka pasur më parë probleme të tilla. Në disa raste, ato shfaqen papritur dhe duket sikur vijnë nga hiçi. Megjithatë, ndërsa shkencëtarët po mësojnë më shumë rreth sistemit imunitar, po identifikojnë edhe mënyra të pazakonta që mund të nxisin shfaqjen e alergjive të reja, nga pickimet e rriqrave deri te ndryshimet hormonale.
Covid-19, një nga faktorët që mund të “ndezë” alergjitë
Disa njerëz lindin me një predispozitë gjenetike ndaj alergjive. Por, siç shpjegon Ruchi Gupta, drejtoreshë e Qendrës për Kërkime mbi Alergjitë Ushqimore dhe Astmën në Universitetin Northwestern në Illinois, “nuk është gjithçka gjenetike”. Shpesh nevojitet edhe një faktor që e aktivizon këtë predispozitë.
Një prej këtyre faktorëve mund të jetë infektimi me Covid-19. Një studim i vitit 2026 zbuloi se personat që kishin kaluar Covid-19 kishin një rrezik dukshëm më të lartë për të zhvilluar rinit alergjik, i njohur zakonisht si alergjia sezonale, si dhe astmë.
Gjatë një infeksioni me Covid-19, sistemi imunitar mund të reagojë në mënyrë të tepruar dhe të shkaktojë nivele të larta inflamacioni. Sipas Philip Curman, bashkautor i studimit dhe dermatolog në Institutin Karolinska në Suedi, ky lloj inflamacioni lidhet edhe me zhvillimin e sëmundjeve alergjike.
“Infeksioni e rriti rrezikun, ndërsa vaksinimi e uli atë”, shpjegon Curman.
Edhe infeksione të tjera, si virusi respirator sincicial (RSV) dhe rinovirusi, i cili shkakton të ftohurën, duket se mund të kenë efekte të ngjashme, të paktën te fëmijët, sipas studimeve të mëparshme.
Gupta shpjegon se alergjitë që shfaqen pas një infeksioni mund të jenë një lloj efekti anësor i reagimit të fuqishëm të sistemit imunitar. Nëse trupi ndeshet me një ushqim apo substancë alergjike në një moment kur sistemi imunitar është i mbingarkuar duke luftuar një virus, ai mund ta perceptojë gabimisht këtë substancë si një kërcënim.
Antibiotikët dhe mikrobioma e zorrëve
Edhe trajtimet për disa sëmundje të zakonshme mund të kenë pasoja të padëshiruara. Përdorimi i antibiotikëve, për shembull, është lidhur me një rrezik më të lartë për zhvillimin e alergjive më vonë.
Sipas Gupta, një shpjegim i mundshëm është se antibiotikët mund të prishin ekuilibrin delikat të mikrobiomës së zorrëve – komuniteti i madh i baktereve që jetojnë në traktin gastrointestinal.
Shkencëtarët ende nuk i kanë zbuluar të gjitha funksionet e mikrobiomës, por dihet se ajo luan rol në shumë procese të rëndësishme të organizmit, përfshirë funksionimin e sistemit imunitar.
Ndryshimi i këtij ekuilibri mund të shkaktojë atë që Gupta e përshkruan si “konfuzion të sistemit imunitar”, duke bërë që substanca normalisht të padëmshme të identifikohen gabimisht si kërcënime që duhet neutralizuar.
Shtatzënia mund të ndryshojë mënyrën si reagojnë alergjitë
Shtatzënia është një tjetër ndryshim i madh në sistemin imunitar dhe mund të ndikojë në mënyra të papritura te alergjitë.
Sipas alergologes Kelly Colas, e cila në Universitetin e Uashingtonit është e specializuar në trajtimin e alergjive gjatë shtatzënisë, rreth një e treta e grave që kanë pasur më parë alergji ndaj faktorëve mjedisorë vërejnë se simptomat e tyre përkeqësohen pasi mbeten shtatzëna.
Ekziston gjithashtu një gjendje e njohur si “riniti i shtatzënisë”. Në këtë rast, një person që nuk ka pasur kurrë më parë alergji mund të zhvillojë gjatë shtatzënisë simptoma të ngjashme me alergjitë, si teshtima, bllokimi i hundëve dhe rrjedhja e hundës.
Këto raste tregojnë se alergjitë nuk janë domosdoshmërisht një problem që përcaktohet vetëm në fëmijëri. Ndryshimet në sistemin imunitar, infeksionet, mikrobioma dhe ndryshimet hormonale mund të ndikojnë në mënyrën se si trupi reagon ndaj substancave që më parë i toleronte pa problem.
















