Sondazhi i Komisionit Evropian, Eurobarometri për sportin dhe aktivitetin fizik, tregon se evropianët, në përgjithësi, po merren më shumë me sport krahasuar me vitin 2022. Megjithatë, dallime të konsiderueshme mbeten mes vendeve dhe grupeve socio-ekonomike, edhe pse shumë evropianë thonë se aktiviteti fizik sjell përfitime për mirëqenien e tyre fizike dhe mendore.
“Gjithnjë e më shumë evropianë po bëhen aktivë, por mundësia për të marrë pjesë në aktivitete fizike ende varet shumë nga të ardhurat, mosha dhe niveli i arsimit”, tha Roxana Mînzatu, Zëvendëspresidente Ekzekutive për të Drejtat Sociale dhe Aftësitë, Punët Cilësore dhe Gatishmërinë.
Gati gjysma e 26 508 personave të anketuar, të cilët përfaqësojnë një gamë të gjerë grupesh sociale dhe demografike, thanë se ushtrohen ose merren me sport çdo ditë ose disa herë në javë. Ndërkohë, 39% thanë se nuk ushtrohen kurrë dhe nuk merren me sport, një përqindje kjo më e ulët se 45% në vitin 2022.
Finlanda dhe Danimarka kryesojnë për sa i përket aktivitetit të përditshëm fizik, me përkatësisht 21% dhe 20% të të anketuarve që thanë se ushtrohen çdo ditë. Në të dyja vendet, 59% e të anketuarve të tjerë thanë se ushtrohen disa herë në javë.
Në skajin tjetër, 68% e të anketuarve në Portugali thanë se nuk ushtrohen kurrë dhe nuk merren me sport, ndërsa Greqia dhe Rumania pasojnë nga afër, të dyja me 66%.
Arsyet që njerëzit japin për t’u ushtruar, qoftë për më pak se një orë në javë apo për më shumë se tri orë variojnë nga ruajtja e shëndetit fizik deri te çlodhja dhe përmirësimi i mirëqenies mendore.
Gati të gjithë të anketuarit besojnë se aktiviteti fizik ndihmon në përmirësimin e shëndetit mendor. Shumica gjithashtu pajtohen se aktiviteti fizik ndihmon në krijimin e komuniteteve dhe në përmirësimin e mirëqenies së grupeve të margjinalizuara.
Megjithatë, për ata që nuk ushtrohen aq sa do të dëshironin, koha është pengesa kryesore, e përmendur nga 37% e evropianëve. Të tjerë përmendën mungesën e motivimit ose interesit (26%) dhe problemet shëndetësore apo dëmtimet (15%). Kostoja është gjithashtu një faktor për 12% të të anketuarve.
Niveli i arsimit dhe gjendja financiare lidhen ngushtë me pjesëmarrjen në aktivitete fizike.
Rreth 59% e personave që kanë vazhduar arsimin deri në moshën 20 vjeç ose më tej ushtrohen ose merren me sport disa herë në javë, krahasuar me 23% të atyre që e kanë ndërprerë arsimin në moshën 15 vjeç ose më herët.
Personat që kanë më shumë vështirësi për të përballuar pagesat e tyre janë gjithashtu dy herë më të prirur të thonë se nuk ushtrohen kurrë, krahasuar me ata që rrallë ose asnjëherë nuk kanë vështirësi financiare, përkatësisht 54% kundrejt 26%.
“Çdokush duhet të ketë akses në sport të përballueshëm dhe në hapësira të sigurta për t’u ushtruar, pranë vendbanimit të tij”, tha Mînzatu. “Kjo nënkupton krijimin e mundësive për fëmijët, familjet e të cilëve nuk mund të përballojnë tarifat e klubeve sportive, për të moshuarit dhe për personat me aftësi të kufizuara.”
















