Shoqëritë e sigurimit në Shqipëri do të përballen me kërkesa të reja për kapitalin, të cilat do të përcaktohen në bazë të profilit të rrezikut të aktivitetit të tyre, ndërsa rregullat për shitjen e produkteve të sigurimit do të forcohen për të garantuar një mbrojtje më të madhe të konsumatorëve.
Ndryshimet parashikohen në projektligjin e ri “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, i prezantuar gjatë një takimi mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe drejtuesve të shoqërive të sigurimit.
Projektligji synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me kuadrin evropian Solvency II dhe me Direktivën për Shpërndarjen e Sigurimeve, IDD.
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Adela Xhemali, deklaroi se reforma nuk duhet të shihet vetëm si pjesë e detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Sipas saj, ndryshimet krijojnë mundësi për të rritur qëndrueshmërinë e tregut të sigurimeve, për të përmirësuar standardet e qeverisjes dhe administrimit të rrezikut, si dhe për të shtuar transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Xhemali theksoi gjithashtu nevojën për planifikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm mes Autoritetit dhe industrisë së sigurimeve për zbatimin e reformës.
Eksperti i Bankës Botërore, Timo Broszeit, gjatë prezantimit të draftit tha se Solvency II vendos qeverisjen korporative në qendër të regjimit të ri të mbikëqyrjes.
Sipas tij, administrimi i rrezikut duhet të përfshihet drejtpërdrejt në vendimmarrjen strategjike të kompanive, duke shtuar përgjegjësinë e organeve drejtuese për qëndrueshmërinë financiare dhe mbrojtjen e të siguruarve.
AMF vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Bankës Botërore dhe financimin e SECO-s së qeverisë zvicerane në procesin e hartimit të projektligjit dhe përshtatjen e tij me kërkesat e tregut shqiptar.
Përfaqësuesit e kompanive të sigurimit diskutuan mbi pritshmëritë nga reforma, shkëmbimin e eksperiencave me shoqëritë pjesë të grupeve ndërkombëtare, si dhe nevojën për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe përshpejtimin















