Bursa e kriptomonedhave Bitget ka pezulluar përkohësisht tërheqjet e klientëve pas vjedhjes së kriptomonedhave me vlerë rreth 351.6 milionë dollarë në një sulm kibernetik. Kompania deklaroi se fondet e përdoruesve janë të sigurta, sipas Reuters.
Bitget kishte konstatuar të enjten “transferta të paautorizuara” nga disa prej kuletave të saj dhe vendosi të pezullonte përkohësisht tërheqjet e klientëve, tha në një deklaratë të publikuar në X drejtuesja ekzekutive e kompanisë me bazë në Seychelles, Gracy Chen.
Chen deklaroi se të gjitha fondet e përdoruesve janë të sigurta dhe se humbja do të mbulohet nga fondet e vetë Bitget.
“Tërheqjet mbeten përkohësisht të pezulluara si masë sigurie, jo për shkak të ndonjë mungese fondesh”, tha Chen për Reuters në një deklaratë të dërguar me email të premten.
Bitget deklaron se ka më shumë se 120 milionë përdorues, duke e renditur atë ndër platformat më të mëdha të shkëmbimit të kriptomonedhave në botë.
Bursat e kriptomonedhave janë prej vitesh objekt i sulmeve kibernetike dhe vjedhjeve të mëdha. Vitin e kaluar, platformës së kriptomonedhave Bybit iu vodhën rreth 1.5 miliardë dollarë në një sulm kibernetik, për të cilin FBI-ja tha se ishte kryer nga hakerë të Koresë së Veriut.
Koreja e Veriut mohon rregullisht përfshirjen në sulme kibernetike apo grabitje të kriptomonedhave.
Autoritetet kanë paralajmëruar se kriminelët mund t’i transferojnë me shpejtësi kriptomonedhat e vjedhura përtej kufijve, pa përdorur sistemin financiar tradicional.
















