Mbrojtja e posaçme nga arrestimi dhe kontrollet për drejtuesit e Bankës së Shqipërisë nuk është përfshirë në nismën e re ligjore të depozituar nga deputetët socialistë në Kuvend.
Drafti i paraqitur më 25 shtator 2026 mban firmën e deputetes Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.
Nisma ndërhyn në disa dispozita të ligjit ekzistues për Bankën e Shqipërisë, por nuk përmban nenin që kushtëzonte arrestimin apo kontrollin e drejtuesve të Bankës Qendrore me autorizimin e Gjykatës Kushtetuese.
Më herët, Skyweb.al raportoi për nismën ligjore të publikuar nga Ministria e Financave, sipas së cilës Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët do të mbroheshin nga arrestimi, privimi i lirisë dhe kontrollet personale apo të banesës.
Kjo dispozitë ishte pjesë e projektligjit integral “Për Bankën e Shqipërisë”, të publikuar për konsultim më 15 korrik 2026. Konsultimi qëndroi i hapur deri më 12 gusht.
Neni 72 i atij drafti parashikonte që Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët të mos arrestoheshin dhe të mos u kontrollohej banesa pa autorizimin paraprak të Gjykatës Kushtetuese.
Përjashtim bëhej vetëm në rast flagrance ose kur drejtuesi ndiqej menjëherë pas kryerjes së një krimi.
Prokurori duhet t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte dy javë kohë për të vendosur. Nëse Gjykata nuk shprehej brenda këtij afati, kërkesa konsiderohej e refuzuar.
Vetëm dy muaj më vonë, nisma e re parlamentare ka zgjedhur një tjetër rrugë. Në vend të një ligji tërësisht të ri, paketa ndryshon vetëm disa pjesë të ligjit nr. 8269/1997.
Projektligji përmban shtatë nene që trajtojnë financimin monetar, kreditimin e sektorit publik, titujt e qeverisë, rezervën e detyruar dhe statusin e drejtuesve të Bankës së Shqipërisë.
Megjithatë, mbrojtja nga arrestimi dhe kontrollet nuk është marrë nga drafti i korrikut.
Nëse miratohet vetëm nisma e depozituar më 25 shtator, Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk do ta përfitojnë këtë mbrojtje të posaçme procedurale. /skyweb.al
















