Ndryshimet në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, që synojnë përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Europian, kanë bërë bashkë maxhorancën dhe opozitën në Komisionin e Ligjeve.
Në mbledhje ishte i pranishëm edhe drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Ervin Koçi, i cili dha shifra mbi rastet e dyshuara të referuara gjatë vitit 2025.
“Në vitin 2025 kemi 269 referime tek organet ligjzbatuese: 24 në prokuroritë e rretheve, 32 në SPAK, 133 në Policinë e Shtetit dhe 80 në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”, deklaroi Koçi.
Sipas tij, policia ka referuar më tej rreth 85–90% të rasteve, ndërsa SPAK i ka vlerësuar materialet dhe ka nisur hetimet penale për çështjet që ka konsideruar të arsyeshme.
Koçi tha se qasja e Shqipërisë në luftën kundër pastrimit të parave është mbështetur dhe vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare, përfshirë MONEYVAL-in.
Duke iu përgjigjur shqetësimit të deputetëve të opozitës se paratë e krimit po mbahen të fshehura dhe të “dyllosura” në cash, kreu i Agjencisë tha se pikërisht kjo tregon se sistemi parandalues po funksionon.
“Fakti që ka persona që i mbajnë paratë cash dhe i dyllosin, tregon se sistemi i parandalimit të pastrimit të parave funksionon. Nëse nuk do të funksiononte, ata do t’i fusnin paratë në sistem dhe nuk do t’i mbanin të fshehura jashtë tij”, u shpreh Koçi.
Sektori më i ekspozuar ndaj tentativave për pastrimin e parave mbetet ndërtimi. Nga 269 rastet e referuara gjatë vitit 2025, rreth 100 lidhen me këtë sektor.
“Shqipëria nuk ka tregje financiare të zhvilluara apo alternativa të tjera, ndaj është normale që të tentohet që paratë të futen në ndërtim. Por, siç thashë, sistemi funksionon dhe bën parandalimin e pastrimit të parave të pista”, deklaroi Koçi.
Shqipëria doli dy vite më parë nga lista gri për pastrimin e parave. Agjencia e Inteligjencës Financiare vijon bashkëpunimin me MONEYVAL-in, ekspertët e të cilit zhvillojnë vizita periodike për të vlerësuar ecurinë e reformave dhe efektivitetin e sistemit parandalues. /skyweb.al















