Ndërsa qeveria dhe Banka e Shqipërisë prezantojnë njëra pas tjetrës masat për digjitalizimin e pagesave, ekonomia vendase po dëshmon një paradoks të madh: Shqipëria po përmbytet nga paraja kesh.
Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vëllimi i parasë që qarkullon jashtë sistemit bankar, shënoi një tjetër rekord historik në gusht duke kapur shifrën 534.1 miliardë lekë.
E konvertuar me kursin aktual, prej 92 lekësh për një euro, kjo do të thotë se plot 5.8 miliardë euro në para fizike po qarkullojnë jashtë kasafortave të bankave tregtare. Në harkun kohor të një viti, oferta e kesh-it në Shqipëri u zgjerua me 15.2%, duke i shtuar ekonomisë 766 milionë euro në prerje letre.

Për një vend me një Prodhim të Brendshëm Bruto (PBB) prej rreth 23 miliardë eurosh, të kesh gati një të katërtën e prodhimit ekonomik nëpër portofola qytetarësh dhe kasa biznesesh është një shifër e jashtëzakonshme.
Kjo tregon për një koktej unik të një sektori turistik në rritje, një ekonomie informale persistente dhe, mbi të gjitha, efekteve anësore të ndërhyrjes së Bankës Qendrore për të përmbajtur dobësimin e euros.
Efekti turizëm
Të dhënat zbulojnë një sjellje qartësisht sezonale dhe një përputhje gati të plotë midis flukseve hyrëse të valutës dhe rritjes së parasë kesh në ekonomi. Një rritje e hovshme prej 174 milionë eurosh në dhjetor reflekton shpenzimet e festive të fundvitit dhe remitancat nga diaspora e gjerë shqiptare. Por kjo u eklipsua plotësisht nga vera.
Midis majit dhe gushtit, paraja jashtë bankave shpërtheu me mbi 48 miliardë lekë (rreth 522 milionë euro), duke arritur pikun me një kërcim monstruoz mujor prej 16.9 miliardë lekësh vetëm në korrik.
Ky hov veror përputhet saktësisht me kulmin e sezonit turistik. Edhe pse sektori formal i hotelerisë është modernizuar, pjesa dërrmuese e ekosistemit turistik – nga dhomat me qira në plazh e deri te baret dhe restorantet e peshkut – mbetet kokëfortësisht e varur nga transaksionet me para në dorë.
Shtypshkronja e Bankës Qendrore
Megjithatë, të fajësosh vetëm turistët dhe evazionin fiskal është të tregosh gjysmën e historisë. Motori kryesor pas këtij zgjerimi monetar ulet i qetë në zyrat e Bankës së Shqipërisë.
Gjatë viteve të fundit, leku shqiptar ka qenë në një rritje të pandalshme përballë euros. I udhëhequr nga nivelet rekord të investimeve të huaja direkte, blerjet në pasuritë e paluajtshme, të ardhurat nga turizmi dhe një rrymë e konsiderueshme e kapitalit që vjen nga burimet e jashtëligjshme, euroja është gjunjëzuar në nivelin historik prej 92 lekësh.
Për të mbrojtur eksportuesit shqiptarë dhe operatorët turistikë – marzhet e të cilëve po shtypen nga një monedhë vendase e mbivlerësuar – banka qendrore është detyruar të ndërhyjë në mënyrë agresive. Kur tregu përmbytet me euro, banka qendrore futet si blerësi i fundit, duke thithur valutën e huaj nga tregu.
Por ky mekanizëm mbrojtës vjen me një efekt anësor. Për të blerë miliarda euro, banka qendrore duhet të krijojë dhe të injektojë sasi masive likuiditeti të ri në lekë në sistemin bankar.
Në një ekonomi fort të formalizuar, ky likuiditet do të mbetej brenda llogarive bankare. Në Shqipëri, një pjesë e konsiderueshme e këtij leku të sapoprintuar “rrjedh” menjëherë jashtë rrjetit financiar dhe përfundon në ekonominë kesh, duke ushqyer pikërisht atë informalitet që qeveria zotohet të shkatërrojë si dhe një spirale të pandalshme inflacioni.
Blerja e valutës është njëkohësisht printim leku nga hiçi. Sa më shumë valutë ble Banka e Shqipërisë, aq më shumë para ajo printon duke rritur inflacionin. Si rezultat, Shqipëria po përjeton një paradoks pa asnjë shpjegim logjik ekonomik. Leku forcohet, por çmimet shtrenjtohen./kapitali.al
















