Prodhuesit dhe importuesit që tregtojnë materiale ndërtimi pa dokumentet e kërkuara rrezikojnë gjoba deri në 2% të xhiros së vitit pararendës, sipas projektligjit të ri “Për tregtimin e produkteve të ndërtimit”.
Gjoba nuk do të llogaritet mbi vlerën e mallit të parregullt, por mbi qarkullimin vjetor të kompanisë. Në çdo rast, ajo nuk mund të jetë më e ulët se 200 mijë lekë.
Sanksioni parashikohet për produktet që hidhen në treg pa deklaratën e performancës dhe konformitetit, pa dokumentacion teknik, pa markimin e detyrueshëm ose me të dhëna të rreme dhe të paplota.
Deklarata e performancës është dokumenti me të cilin prodhuesi përcakton karakteristikat e produktit dhe mënyrën se si ai sillet gjatë përdorimit. Në varësi të materialit, aty mund të përfshihen rezistenca mekanike, qëndrueshmëria ndaj zjarrit, izolimi termik, përshkueshmëria nga uji dhe jetëgjatësia.
Deklarata e konformitetit vërteton se produkti përmbush kërkesat ligjore dhe standardet teknike që zbatohen për kategorinë përkatëse. Prodhuesi mban përgjegjësi për saktësinë e të dhënave të deklaruara.
Dokumentacioni teknik është dosja mbi të cilën mbështeten këto deklarata. Ajo përmban rezultatet e provave laboratorike, përllogaritjet, standardet e përdorura, kontrollet e prodhimit dhe të dhëna të tjera që provojnë cilësinë dhe sigurinë e produktit.
Ndërsa markimi CE është shenja përmes së cilës prodhuesi merr përgjegjësinë se produkti përputhet me kërkesat e harmonizuara europiane. Ai nuk është thjesht një certifikatë cilësie, por një deklarim ligjor i konformitetit.
Sipas dispozitave kalimtare të draftit, markimi CE nuk bëhet menjëherë i detyrueshëm për çdo produkt. Detyrimi parashikohet të zbatohet pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ose më herët, nëse vendoset përmes një marrëveshjeje me BE-në.
Masat prekin produktet që përdoren në ndërtesa dhe vepra infrastrukturore, si çimentoja, betoni, materialet izoluese, strukturat metalike, dyert, dritaret, tubacionet dhe elementet e tjera që bëhen pjesë e përhershme e ndërtimit.
Përgjegjësia bie fillimisht mbi prodhuesin. Kur produkti vjen nga jashtë dhe prodhuesi nuk mund të mbahet përgjegjës në Shqipëri, sanksioni mund të vendoset ndaj importuesit.
Nëse e njëjta shkelje përsëritet brenda dy viteve, gjoba rritet me 50%. Autoritetet mund të kërkojnë gjithashtu tërheqjen, kthimin ose asgjësimin e produkteve që paraqesin rrezik.
Projektligji parashikon që pjesa më e madhe e rregullave të nisë zbatimin një vit pas hyrjes së ligjit në fuqi, nëse ai miratohet. Synimi është që materialet e përdorura në ndërtime të kenë origjinë të gjurmueshme dhe performancë të provuar, ndërsa kompanitë të mos mund të tregtojnë produkte vetëm mbi bazën e pretendimeve të tyre. /skyweb.al
















