Para që mungonin në llogari, mesazhe me balanca të reduktuara dhe përpjekje për të marrë një shpjegim nga banka. Kjo ishte situata e denoncuar një ditë më parë nga klientë të Raiffeisen, të cilët pretenduan se u ishin zbritur shuma të konsiderueshme pa kryer blerje apo transaksione që i justifikonin.
Pas shqetësimit të ngritur nga qytetarët, banka ka reaguar duke pranuar ndryshimet e përkohshme në balancat e disa llogarive. Raiffeisen deklaron se situata është zgjidhur plotësisht dhe se gjendja e llogarive tashmë pasqyrohet saktë.

Kapitali raporton se ka verifikuar disa prej rasteve, shumat e denoncuara si të munguara varionin nga 500 deri në 1 mijë euro. Në një rast, një klient me rreth 100 mijë lekë në llogari kishte kryer një blerje prej afërsisht 1.100 lekësh. Por SMS-ja e marrë më pas nga banka tregonte një balancë më të ulët se 50 mijë lekë.
Denoncime të ngjashme u publikuan në rrjetet sociale, ku qytetarët kërkonin të dinin çfarë kishte ndodhur me paratë e tyre. Disa pretenduan se kishin telefonuar vazhdimisht në linjat e kontaktit të bankës, pa arritur të merrnin përgjigje.
Në njoftimin e saj, Raiffeisen i lidh ndryshimet në balanca me disa transaksione me kartë, por nuk jep hollësi mbi shkakun apo mënyrën se si u krijuan diferencat.
“Situata është adresuar plotësisht dhe balancat e llogarive pasqyrojnë gjendjen e saktë”, deklaron banka.
Raiffeisen mohon gjithashtu që sistemet e saj të jenë cenuar. Sipas njoftimit, nuk është identifikuar akses i paautorizuar, nuk janë kompromentuar të dhënat e klientëve dhe nuk është evidentuar incident i sigurisë kibernetike.
Megjithatë, mbeten pa shpjegim publik shkaku i ndryshimit të balancave, numri i klientëve të prekur dhe vlera totale e shumave të përfshira. Banka njofton korrigjimin e gjendjes, por nuk sqaron çfarë ndodhi gjatë orëve që shkaktuan ankth te klientët. /skyweb.al
















