Presidenti Bajram Begaj deklaroi se institucionet e reja të drejtësisë kanë krijuar një realitet të ri në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Gjatë ceremonisë së hapjes së vitit akademik në Shkollën e Magjistraturës, ai theksoi se drejtësia shqiptare duhet të dëshmojë tashmë efektivitetin e saj përmes rezultateve.
“Hetimi dhe gjykimi i personave me pushtet politik, ekonomik apo shoqëror nuk është më diçka e pamundur. Kjo është një arritje kyçe për shtetin e së drejtës, për Shqipërinë”, u shpreh Begaj.
Sipas Presidentit, përfundimi i vetingut dhe ngritja e institucioneve të reja, përfshirë SPAK-un dhe gjykatat e posaçme, e kanë kaluar drejtësinë nga faza e reformës në atë të konsolidimit. Ai u tha magjistratëve të rinj se integriteti dhe profesionalizmi i tyre do të përcaktojnë sa efektivisht do të funksionojë ky sistem.
Begaj veçoi besimin e publikut si pasurinë më të çmuar të drejtësisë. Sipas tij, qytetarët duhet të kenë sigurinë se do të dëgjohen, se pretendimet e tyre do të shqyrtohen me paanshmëri dhe se ligji do të zbatohet njësoj për të gjithë.
Kreu i shtetit kërkoi gjithashtu një drejtësi të pavarur nga pushtetet dhe interesat e tjera. “Pavarësia e drejtësisë nënkupton një pushtet të pavarur nga pushtetet e tjera, një drejtësi të pandikuar nga çdo interes, një drejtësi që i nënshtrohet vetëm ligjit dhe askujt tjetër”, theksoi ai.
Në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Begaj nënvizoi se drejtësia duhet të jetë jo vetëm e drejtë, por edhe në kohë. Cilësia e vendimeve dhe efektiviteti, sipas tij, duhet të ecin së bashku, ndërsa bashkëpunimi institucional duhet të respektojë ndarjen dhe balancën e pushteteve.
Presidenti i ftoi magjistratët e rinj ta ushtrojnë detyrën me integritet, kurajë dhe përkushtim ndaj qytetarëve, duke theksuar se drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e dukshme dhe e besueshme për publikun.
















