Kur qëndrojmë në një hotel, zakonisht mendojmë se objektet më të rrezikshme për higjienën janë ato që përdorim më shpesh. Por, sipas specialistit Matteo Fadenti, disa nga burimet më të mëdha të papastërtisë fshihen në vende që nuk na shkojnë menjëherë në mendje.
Në një prononcim për Fanpage.it, Fadenti, ekspert në teknikat e parandalimit në mjedise dhe vende pune, veçon ndër objektet që kërkojnë më shumë vëmendje jastëkët dekorativë. Ata që vendosen mbi shtretër apo divane shpesh nuk ndërrohen, nuk lahen dhe nuk dezinfektohen rregullisht, duke krijuar mundësi për grumbullimin e mikroorganizmave.
Të njëjtin problem mund të paraqesin edhe mbulesat e shtretërve, mbulesat e divaneve dhe perdet, pasi janë tekstile që nuk pastrohen domosdoshmërisht me të njëjtën frekuencë si çarçafët dhe peshqirët.
Në listën e objekteve që preken vazhdimisht, por mund të mos pastrohen sa duhet, përfshihen edhe telekomandat, çelësat, dorezat e dyerve dhe rubinetat.
Ndërsa për ibrikët elektrikë, eksperti thotë se shqetësimi shpesh është i tepruar. Sipas tij, temperaturat e larta të ujit gjatë zierjes eliminojnë pjesën më të madhe të baktereve. Në krahasim me to, tekstilet mund të jenë më problematike, pasi krijojnë kushte më të përshtatshme për mbijetesën dhe shumimin e mikroorganizmave.
Për të reduktuar kontaktin me sipërfaqet potencialisht të papastra, këshilla kryesore është e thjeshtë: lani duart para dhe pas përdorimit të objekteve që preken shpesh. Në rastin e divaneve dhe mbulesave, mund të përdorni një peshqir ose të qëndroni të veshur.
Megjithatë, eksperti thekson se nuk ka nevojë të dezinfektojmë çdo sipërfaqe menjëherë pasi hyjmë në dhomën e hotelit. Një praktikë e tillë do të ishte jo vetëm e lodhshme, por edhe e panevojshme. Për më tepër, përdorimi i produkteve dezinfektuese në pajisje elektronike mund t’i dëmtojë ato.
















