Një jaht me gjatësi 118 metra, i projektuar si një resort privat lundrues, ka tërhequr vëmendjen në Monaco Yacht Show, duke u prezantuar si një prej koncepteve më ambicioze të industrisë së superjahteve.

“Fusion” është konceptuar nga studioja holandeze Sinot Yacht Architecture & Design, në bashkëpunim me Azure Yacht Design, dhe pretendohet të jetë trimarani më i madh në botë me tre trupa që shtrihen pothuajse në të gjithë gjatësinë e mjetit.

Ndryshe nga trimaranët tradicionalë, ku trupat anësorë shërbejnë kryesisht si stabilizues, “Fusion” ka një trup kryesor 115 metra dhe dy trupa anësorë me gjatësi nga 110 metra.
Kjo strukturë synon të kufizojë lëkundjet, të rrisë qëndrueshmërinë dhe të ulë rezistencën gjatë lundrimit, duke mundësuar udhëtime në distanca të gjata me konsum më të ulët energjie.
Jahti ofron rreth 3,340 metra katrorë hapësirë në kuvertë, të konceptuar për argëtim, sport, mirëqenie dhe ekspedita.

Në pjesën e përparme është parashikuar një fushë tenisi që mund të përshtatet për aktivitete të tjera, ndërsa një pishinë panoramike me fund xhami krijon kontakt të drejtpërdrejtë vizual me detin.
Mjeti do të ketë hapësira për helikopterë, avionë me ngritje dhe ulje vertikale, nëndetëse të vogla me ekuipazh, mjete ndihmëse luksoze dhe pajisje për sporte ujore.
Në brendësi mund të akomodohen nga 16 deri në 18 persona në nëntë suita.
Hapësira më e veçantë është rezidenca e pronarit, e ndërtuar si një apartament privat brenda jahtit, me tarracë të veçantë, krevat nën një çati të madhe xhami, garderoba dhe zyrë personale.
Projekti përfshin gjithashtu qendër mirëqenieje, sallone bukurie, palestër dhe ambiente ngrënieje të përshtatshme edhe për organizimin e eventeve të mëdha.

Sipas projektuesve, “Fusion” nuk është vetëm një ide futuriste në letër. Zgjidhjet inxhinierike janë zhvilluar në atë nivel që ndërtimi mund të nisë sapo të gjendet blerësi i gatshëm të financojë projektin.
Çmimi nuk është bërë publik, por përmasat dhe pajisjet e parashikuara e vendosin “Fusion” në kategorinë më të lartë të jahteve private.

Projekti synon të bashkojë në një mjet të vetëm luksin e një resorti me pesë yje dhe aftësitë e një jahti eksplorimi, duke u dhënë pronarëve mundësinë të udhëtojnë drejt zonave të largëta pa hequr dorë nga komoditetet e tokës. /skyweb.al
















