Bizneset që po kundërshtojnë detyrimet tatimore në rrugë administrative apo gjyqësore kanë edhe 57 ditë për të paraqitur aktin e heqjes dorë dhe për t’u përfshirë në skemën e faljes me kusht. Administrata Tatimore rikujton se 30 nëntori 2026 është afati i fundit për dorëzimin e këtij dokumenti.
Subjektet e interesuara duhet ta paraqesin aktin me kërkesë zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse. Heqja dorë përfshin ankimin administrativ, padinë, ankimin gjyqësor ose rekursin, sipas fazës ku ndodhet çështja, dhe duhet të kryhet përpara pagesës së detyrimit principal.
Për këta tatimpagues, dorëzimi i aktit është kusht për përfitimin nga ligji nr. 86/2025. Afati i heqjes dorë nga kundërshtimi i detyrimeve është i ndryshëm nga ai i pagesave, të cilat, për kategoritë përkatëse, mund të kryhen deri më 31 dhjetor 2026.
Masa e lehtësimit varet nga periudha kur është krijuar borxhi. Për detyrimet e viteve 2015–2019, bizneset mund të përfitojnë shuarjen e 25% të principalit, nëse paguajnë 75% e mbetur brenda fundit të dhjetorit. Në këtë rast fshihen plotësisht edhe gjobat dhe kamatëvonesat.
Alternativa që mundësonte faljen e gjysmës së principalit, kundrejt pagesës së gjysmës tjetër njëherësh, kishte afat deri më 30 qershor 2026 dhe tashmë është mbyllur.
Për borxhet e periudhës 1 janar 2020–31 dhjetor 2024, kushti është shlyerja e plotë e principalit deri më 31 dhjetor 2026. Përfitimi në këtë kategori lidhet me fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave. Pagesat për skemën nisën më 10 qershor 2026.
Ndërsa për detyrimet që u përkasin periudhave deri më 31 dhjetor 2014, ligji parashikon fshirjen e plotë, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat. Përjashtim është principali i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, i cili nuk falet.
Skema ka edhe përjashtime të tjera. Nuk përfitojnë subjektet e dënuara përfundimisht ose në hetim apo gjykim për vepra penale tatimore dhe doganore, si dhe detyrimet për të cilat ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të administratës tatimore apo doganore.
Sipas të dhënave të Tatimeve të raportuara pas fazës së parë, mbi 22 mijë tatimpagues kishin përfituar nga falja me kusht, me rreth 60 milionë euro detyrime të fshira ose të shuara.
Tatimpaguesit mund të kontrollojnë gjendjen e detyrimeve në sistemin e-Filing. Për sqarime mbi procedurën, Administrata Tatimore ka vënë në dispozicion adresën info.falja@tatime.gov.al.
















