Blerësit që synojnë të investojnë në apartamente në fazat e para të ndërtimit po tregohen më të kujdesshëm.
Sipas ekspertes së pasurive të paluajtshme, Eriola Çanga, situata politike dhe ligjore që lidhet me disa kompani ndërtimi ka ndikuar në stepjen e këtij grupi klientësh.
Çanga shpjegoi se dobësimi i kërkesës gjatë muajve të fundit nuk prek njësoj të gjitha segmentet e tregut.
Ai vërehet kryesisht te blerësit për investim, të cilët blejnë me “çmim grope”, me synimin për të përfituar nga rritja e vlerës së pronës.
Sipas saj, një tjetër ecuri kanë pronat e certifikuara, për të cilat procesi i shitjes vijon dhe ku klientët që financojnë blerjen me kredi përbëjnë aktualisht një grup me potencial të rëndësishëm.
Çanga e lidh kujdesin e investitorëve me pasiguritë që krijojnë zhvillimet politike dhe ligjore kundrejt disa kompanive të ndërtimit.
Këto rrethana po ndikojnë në gatishmërinë për të angazhuar para në projekte që janë ende në fazat fillestare.
Ndërkohë, në një postim për ecurinë e tregut, ekspertja vlerëson se çmimet e apartamenteve në Tiranë po hyjnë në një fazë më të stabilizuar.
Sipas saj, ritmi i rritjes nuk është më i njëjtë me atë të mëparshëm dhe në shumë zona vërehet stabilizim i dukshëm.
Rritja e fortë, sipas Çangës, vijon kryesisht në jug të Shqipërisë, ku kërkesa dhe zhvillimet e reja po e mbajnë tregun më dinamik.
Për blerësit dhe investitorët, ajo thekson nevojën për të analizuar zonën, çmimin real dhe potencialin e pronës përpara se të marrin një vendim. /skyweb.al
















