Harta e re me 46 bashki përballet sot me votimin në Kuvend dhe me kundërshtime brenda vetë mazhorancës. Seanca nis në orën 10:00, ndërsa vëmendja është përqendruar te Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj: a do ta ruajnë kundërshtimin ndaj reformës edhe kur të ngrihen kartonët?
Dy deputetët socialistë kanë votuar kundër draftit në mbledhjen e grupit parlamentar. Propozimi parashikon shkrirjen e 15 bashkive, duke e ulur numrin e njësive vendore nga 61 në 46. Kundërshtimet e tyre lidhen me mënyrën e bashkimit dhe efikasitetin e shërbimeve për qytetarët.
Për miratimin nevojiten 84 vota pro. Pas largimit të Marjana Koçekut nga grupi, socialistët numërojnë 82 deputetë. Nëse Braçe dhe Sinaj votojnë kundër, edhe mbështetja e tre deputetëve të PSD-së do ta çonte këtë përllogaritje në 83 vota. Për ta kaluar reformën do të duhej të sigurohej të paktën një votë tjetër.
Kreu i grupit socialist, Taulant Balla, ka këmbëngulur se qëndrimi i përbashkët është miratimi. “Vendimi politik i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është që të gjithë deputetët duhet të votojnë pro”, deklaroi ai. Pra, votimi i sotëm do të tregojë nëse kundërshtimi i shprehur brenda grupit do të mbetet në fuqi edhe përballë vendimit të partisë.
Opozita ka paralajmëruar aksion brenda sallës dhe protesta jashtë Kuvendit. Në orën 10:00 është njoftuar edhe tubimi i “Flamingove”, ndërsa mbetet e paqartë nëse dy mobilizimet do të bashkohen.
Seanca përfshin gjithashtu katër interpelanca. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, do të përballet me pyetjet e deputetëve të PD-së për proporcionalitetin e reagimit të Policisë ndaj protestuesve.
Veç territoriales, rendi i ditës përmban tetë projektligje të tjera, mes tyre ndryshime për bankat, sistemin e pagesave, mbrojtjen e mjedisit dhe pronësinë industriale, si edhe marrëveshjen për pikat e përbashkëta kufitare me Maqedoninë e Veriut.
Në votim parashikohet të kalojë edhe kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për “KAYO”, me objekt kontrollin e ligjshmërisë së marrëveshjeve dhe veprimtarisë së kompanisë shtetërore në prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake. /skyweb.al















