Trenat e rinj që do të futen në shërbim në Shqipëri do të duhet të përmbushin kërkesa teknike europiane për sigurinë, funksionimin dhe kushtet e udhëtimit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar rregulloren për lokomotivat dhe vagonët e udhëtarëve, duke përafruar kuadrin shqiptar me rregullat e Bashkimit Europian.
Urdhri nr. 201, i firmosur nga ministri Enea Karakaçi dhe i botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton kërkesat për një sërë sistemesh që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë dhe përdorimin e mjeteve hekurudhore.
Rregullorja mbulon strukturën e mjeteve, sistemet e frenimit, dyert, pajisjet e komandimit dhe kontrollit, si dhe pajisjet e sigurisë. Në të përfshihen edhe kushtet për shëndetin e udhëtarëve dhe personelit, krahas veçorive të aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara ose me lëvizshmëri të reduktuar.
Kërkesat zbatohen për trenat vetëlëvizës termikë ose elektrikë, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve dhe mjetet speciale që përdoren për mirëmbajtjen, ndërtimin apo inspektimin e infrastrukturës hekurudhore.
Për mjetet e reja, rregullorja zbatohet kur ato futen në shërbim pas hyrjes së saj në fuqi. Mjetet ekzistuese që janë tashmë në përdorim nuk përfshihen automatikisht në të gjitha kërkesat, por zbatimi parashikohet kur ato rinovohen, përmirësohen ose zgjerojnë zonën e përdorimit, sipas kushteve të përcaktuara.
Për mjetet që operojnë në rrjete të pajisura me sistemin përkatës të mbledhjes së të dhënave, parashikohet edhe detyrimi për matjen e konsumit të energjisë elektrike në bord.
Zbatimi i urdhrit u ngarkohet Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore, administratorëve të infrastrukturës dhe sipërmarrësve hekurudhorë. Akti vendos kuadrin teknik për mjetet hekurudhore, ndërsa nuk përcakton blerje trenash apo afate për nisjen e shërbimeve të reja.
















