Akademikët amerikanë Robert Hall dhe Michael Woodford janë fituesit e Çmimit Nobel në Ekonomi për vitin 2026, bëri të ditur të hënën Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.
Dy ekonomistët u vlerësuan për punën e tyre mbi bazat mikroekonomike të stabilizimit makroekonomik, duke zhvilluar modele që ndihmojnë në hartimin e politikave më efektive për përballimin e luhatjeve ekonomike.
Çmimi, i njohur zyrtarisht si Çmimi i Bankës Qendrore të Suedisë në Shkencat Ekonomike në Kujtim të Alfred Nobelit, ka një vlerë prej 12 milionë koronash suedeze, ose rreth 1.2 milionë dollarë.
Sipas Akademisë, kërkimet e Hall dhe Woodford kanë përmirësuar aftësinë e institucioneve për të zbatuar në kohën e duhur politikat fiskale dhe monetare, me synimin për të kufizuar pasojat e krizave dhe luhatjeve ekonomike.
“Puna e laureatëve na ka siguruar një bazë të qëndrueshme teorike për modelet që përdoren sot nga bankat qendrore dhe qeveritë në mbarë botën”, deklaroi John Hassler, kryetar i Komitetit të Çmimit në Shkencat Ekonomike.
Ai theksoi se këto modele ndihmojnë në përballimin e goditjeve ekonomike, si krizat energjetike apo ndryshimet e papritura në konsumin e familjeve.
Çmimi në Shkencat Ekonomike u dha për herë të parë në vitin 1969 dhe nuk bën pjesë në pesë çmimet origjinale të përcaktuara në testamentin e Alfred Nobelit në vitin 1895. Ai u krijua nga Banka Qendrore e Suedisë.
Shumica e fituesve të mëparshëm kanë qenë nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa gratë mbeten të pakta mes laureatëve. E fundit që e fitoi çmimin ishte Claudia Goldin, në vitin 2023, për studimet mbi ndikimin e gjinisë në paga dhe punësim.
Fituesit e vitit të kaluar ishin Joel Mokyr, Philippe Aghion dhe Peter Howitt, të cilët u vlerësuan për kërkimet mbi konceptin e “shkatërrimit krijues” dhe mënyrën se si teknologjitë e reja dhe metodat e prodhimit nxisin rritjen ekonomike dhe përmirësojnë standardet e jetesës. /skyweb.al
















