Llogaritë individuale me vlerë mbi 1 milion dollarë do t’u nënshtrohen procedurave të zgjeruara të verifikimit, sipas projektligjit për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare. Shqyrtimi synon të përcaktojë rezidencën tatimore të mbajtësit dhe nëse llogaria duhet të raportohet për shkëmbimin e informacionit me autoritetet e huaja.
Neni 8 parashikon kontrollin e të dhënave që institucioni financiar mund të kërkojë elektronikisht dhe, kur është e nevojshme, shqyrtimin e dokumentacionit shkresor. Nëse identifikohen tregues që lidhen me një juridiksion raportues, llogaria trajtohet si e raportueshme, përveç rasteve kur plotësohen përjashtimet e përcaktuara.
Pragu prej 1 milion dollarësh nuk shqyrtohet gjithmonë për secilën llogari veçmas. Sipas nenit 12, institucioni financiar mbledh balancat e llogarive që një individ mban pranë tij ose pranë një njësie ekonomike të lidhur, në masën që sistemet kompjuterike i lidhin këto llogari dhe mundësojnë totalizimin.
Për shembull, dy llogari me nga 600 mijë dollarë në të njëjtën bankë mund të trajtohen me një vlerë të përgjithshme prej 1,2 milionë dollarësh, kur plotësohen kushtet e mbledhjes së balancave. Kështu, klasifikimi si llogari me vlerë të madhe merr parasysh edhe shumën e mbajtur në disa llogari.
Për këtë klasifikim merret në konsideratë edhe informacioni i menaxherit të marrëdhënies me klientin. Drafti parashikon mbledhjen, sipas rastit, të llogarive që ai e di ose ka arsye të dijë se janë në pronësi apo kontroll të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të të njëjtit person, me përjashtimin e përcaktuar për llogaritë në cilësi fiduciare.
Institucionet financiare duhet të ndjekin edhe ndryshimet që mund ta bëjnë informacionin e mëparshëm të pasaktë. Në këto raste kërkohet vetëdeklarim i ri ose dokumentacion për të ripërcaktuar rezidencën tatimore. /skyweb.al
















