Jetesa vetëm po bëhet gjithnjë e më e zakonshme, ndërsa tregu vazhdon të ofrojë produkte dhe shërbime të menduara kryesisht për çifte dhe familje. Nga ushqimet te udhëtimet, konsumatorët që jetojnë vetëm përballen me kosto që nuk kanë me kë t’i ndajnë.
Sipas të dhënave të Eurostat të cituara nga Newmoney, ekonomitë familjare me një të rritur pa fëmijë në varësi përbënin 35.4% të totalit në BE në vitin 2024, kundrejt 32.8% në vitin 2015.
Studimi i Boston Consulting Group tregon se konsumatorët që jetojnë vetëm shpenzojnë dy deri në tri herë më shumë për person sesa ata që jetojnë në familje më të mëdha.
Ofertat “bli dy, merr një falas”, paketimet e mëdha apo abonimet familjare shpesh nuk u përshtaten. Për të përfituar një ulje çmimi, duhet të blejnë sasi që mund të mos i konsumojnë.
Edhe blerjet online kanë kosto shtesë. Pragu minimal për transport falas mund t’i shtyjë të blejnë më shumë nga sa u nevojitet, ndërsa marrja dhe kthimi i porosive kërkojnë organizim kur nuk ka askënd tjetër në shtëpi.
Ndryshimi po ndihet edhe në restorante e udhëtime. Sipas Circana, në pesë tregjet më të mëdha europiane që analizon, vizitat vetëm në restorante me shërbim në tavolinë arritën 15.6% në vitin 2025, nga 9.4% në vitin 2016.
Për bizneset po rritet kështu kërkesa për porcione më të vogla, paketa individuale dhe udhëtime për një person, pa kosto shtesë vetëm sepse klienti udhëton vetëm.
















