Protestat e ditëve të fundit janë shoqëruar me dëmtime të konsiderueshme të infrastrukturës bankare në Shqipëri. Mësohet se në të gjithë vendin janë dëmtuar 38 degë bankare dhe 42 bankomate, duke vështirësuar shërbimet për qytetarët dhe bizneset.
Ende nuk është përcaktuar vlera financiare e dëmeve, sa prej pikave të prekura mbeten jashtë funksionit dhe koha që do të nevojitet për rikthimin e plotë të aktivitetit.
Për shkak të situatës dhe nevojës për të garantuar sigurinë e klientëve dhe punonjësve, një pjesë e bankave kanë operuar përkohësisht me më pak degë të hapura ose me orar të kufizuar.
Në disa raste, këto kufizime kanë sjellë vonesa dhe pamundësi për t’i ofruar shërbimet me kapacitetin e zakonshëm. Aktiviteti i degëve po përshtatet me kushtet e sigurisë dhe vendimet e secilës bankë.
Depozitat e klientëve mbeten të sigurta, ndërsa dëmtimet e ambienteve dhe bankomateve janë materiale dhe nuk prekin në vetvete gjendjen e llogarive bankare.
Përpara se të paraqiten në sportele, qytetarët dhe bizneset mund të kontrollojnë njoftimet e bankave për degët e hapura dhe oraret. Pagesat, transfertat dhe transaksionet e tjera mund të kryhen edhe përmes shërbimeve digjitale, kur kjo është e mundur.















