Ministria e Arsimit dhe Sportit, e drejtuar nga Mirela Kumbaro, ka njoftuar vënien në dispozicion të mbi 20 psikologëve për qytetarët që mund të jenë ndikuar emocionalisht nga protestat e dhunshme të ditëve të fundit në Tiranë.
Përmes një njoftimi zyrtar, ministria bën të ditur se, në bashkëpunim me Urdhrin e Psikologut, do të ofrohet mbështetje psikologjike për qytetarët, të rinjtë, të miturit dhe nxënësit e shkollave.
Sipas ministrisë, nisma synon t’u vijë në ndihmë personave që janë ekspozuar ndaj skenave të dhunës gjatë protestave dhe mund të kenë përjetuar shqetësime emocionale.

“Në momente tensioni, pasigurie dhe ngarkese emocionale, mbështetja njerëzore dhe profesionale merr një rëndësi të veçantë”, thuhet në njoftimin e Urdhrit të Psikologut.
Institucioni sqaron se psikologët do të jenë të gatshëm të dëgjojnë dhe mbështesin qytetarët që kanë nevojë për ndihmë për të përballuar vështirësitë emocionale.
Shërbimi do të ofrohet me profesionalizëm, konfidencialitet dhe pa paragjykim.
Për këtë qëllim është përgatitur një listë paraprake me emrat dhe kontaktet e psikologëve që kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje.
Ndërkohë, Urdhri i Psikologut ka ftuar edhe profesionistë të tjerë t’i bashkohen nismës për të ndihmuar qytetarët në situata krize.
Njoftimi vjen pas disa ditësh protestash të dhunshme në kryeqytet, të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe policisë, persona të lënduar dhe dëmtime të shumta materiale.
Kështu, krahas masave për garantimin e rendit dhe sigurisë, qeveria ka vendosur të ofrojë edhe mbështetje psikologjike për qytetarët që mund të jenë tronditur nga ngjarjet e fundit. /skyweb.al















