Unioni Turistik Shqiptar ka reaguar për protestat e studentëve dhe të rinjve në Tiranë dhe në disa qytete të vendit, duke shprehur shqetësimin për përplasjet dhe tensionet e krijuara. Përmes një deklarate publike, Unioni u bën thirrje palëve për vetëpërmbajtje dhe dialog, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.
Unioni thekson se e drejta për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë është një vlerë themelore e shoqërisë demokratike, por kërkon që protestat të ruajnë karakterin paqësor dhe të shmangen veprimet që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve apo dëmtojnë bizneset private.
Sipas deklaratës, sektori i turizmit përfaqëson një industri ku kanë investuar shumë sipërmarrës dhe familje shqiptare, përfshirë emigrantë që kanë investuar kursimet e tyre në vendlindje. Për këtë arsye, Unioni nënvizon se mbrojtja e këtyre investimeve është një përgjegjësi e përbashkët, pasi ato nuk janë pronë e asnjë qeverie apo force politike.
“Shqetësimet e studentëve janë dhe shqetësimet tona”, thekson Unioni Turistik Shqiptar, duke argumentuar se industria e turizmit ka nevojë për të rinj të kualifikuar, të cilët të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri, në vend që të detyrohen të emigrojnë. Sipas tij, ky sektor siguron të ardhura për dhjetëra mijëra familje.
Një tjetër shqetësim i ngritur në deklaratë lidhet me imazhin ndërkombëtar të vendit. Unioni paralajmëron se pamjet e dhunës dhe pasigurisë të transmetuara në mediat ndërkombëtare mund të ndikojnë negativisht në besimin e turistëve dhe në marrëdhëniet me operatorët e huaj turistikë, me të cilët Shqipëria ka ndërtuar partneritete ndër vite.
Në deklaratë, Unioni Turistik Shqiptar dënon gjithashtu çdo përdorim të pajustifikuar ose disproporcional të forcës nga strukturat policore ndaj protestuesve. Sipas tij, garantimi i rendit publik nuk mund të përdoret si justifikim për cenimin e integritetit fizik, dinjitetit dhe të drejtave themelore të qytetarëve, apo për rrezikimin e jetës së tyre.
Në përfundim, Unioni i bën thirrje institucioneve shtetërore dhe drejtuesve të vendit të shmangin retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për një zgjidhje të negociuar. Ai kërkon që qeveria të hapë rrugën e dialogut, ndërsa studentët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për të zhvilluar negociata me institucionet.
Sipas Unionit, dëgjimi me seriozitet dhe respekt i kërkesave të të rinjve është i domosdoshëm për të garantuar paqen sociale, sigurinë dhe vazhdimësinë e zhvillimit ekonomik të vendit.
















