Rrezatimi nga hapësira, i cili çoi në nevojën për përditësime urgjente të kompjuterëve në më shumë se 6,000 avionë Airbus, mund të bëhet një problem gjithnjë e më i madh ndërsa mikroçipat marrin një rol edhe më të rëndësishëm në jetën tonë.
“Na nevojitet ndihmë mjekësore”, tha piloti i një avioni pasagjerësh të JetBlue-it përmes radios drejt kontrollit të trafikut ajror. Avioni, një Airbus A320, papritur humbi lartësi gjatë një fluturimi nga Kankuni në Meksikë drejt Njuarkut, Nju Xhersi, më 30 tetor 2025. Piloti raportoi se tre persona dukeshin se kishin pësuar një plagë në kokë. Të paktën 15 persona u dërguan më pas në spital pasi avioni u devijua dhe u ul në Florida.
Një muaj më vonë, ky incident do të shkaktonte ndalimin në tokë të më shumë se 6,000 avionëve – një nga thirrjet më të mëdha të sigurisë në historinë e aviacionit. Ngjarja solli vonesa dhe anulime të shumta në fundjavën e fundit të nëntorit 2025, një nga periudhat më të ngarkuara të vitit pas festës së Falënderimeve në SHBA.
Shkaku? Grimca mikroskopike me energji të lartë që vijnë nga hapësira, sipas Airbus-it. Hetimi fillestar zbuloi se humbja e papritur e lartësisë lidhej me një defekt në një prej kompjuterëve që kontrollon pjesët lëvizëse të krahëve të avionit. Defekti duket se u shkaktua nga rrezatimi kozmik që goditi Tokën atë ditë. Sipas direktivave urgjente të sigurisë nga Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të BE-së (EASA) dhe Administrata Federale e Aviacionit në SHBA (FAA), gabime të tilla të shkaktuara nga rrezatimi mund të çojnë, në rastin më të keq, në një ndryshim të pakontrolluar të lartësisë që mund të tejkalojë kapacitetin strukturor të avionit. Për këtë arsye, u kërkuan përditësime të menjëhershme të sistemit në dhjetëra variante të Airbus A320, A319 dhe A321 përpara se të lejoheshin të fluturonin përsëri me pasagjerë.
Të gjithë këta avionë duhej të merrnin përditësime softuerike dhe në rreth 900 raste edhe pajisje të reja kompjuterike për t’i mbrojtur më mirë nga rrezatimi hapësinor. Sipas Airbus-it, ajo që ndodhi në fluturimin e JetBlue ishte një fenomen i njohur si “single-event upset” ose “bit flip”, kur grimcat subatomike me shpejtësi të lartë godasin atomet në atmosferë duke shkaktuar një shi neutronesh mbi Tokë. Në raste të rralla, këto neutrone mund të godasin komponentët e kompjuterëve dhe të prishin të dhënat e ruajtura, duke kthyer një bit nga 0 në 1 ose anasjelltas.
Kjo mund t’i bëjë pajisjet elektronike të sillen në mënyra të paparashikueshme, thotë Matthew Owens, profesor i fizikës së hapësirës në Universitetin e Readingut në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas tij, satelitët preken më shpesh nga ky fenomen, pasi rrezatimi rritet me lartësinë. Avionët janë më të ekspozuar ndaj këtij rreziku sesa pajisjet në tokë, edhe pse bit flip-et ndodhin edhe në nivelin e tokës. Rreziku është më i madh edhe për shkak të varësisë së avionëve modernë nga sistemet “fly-by-wire”, të cilat bazohen te elektronika dhe jo mekanika për kontrollin e fluturimit.
Incidenti i JetBlue-it ngjan me një rast të vitit 2008 me një Airbus A330, kur një fluturim i Qantas-it humbi lartësi dy herë brenda 10 minutave, duke plagosur dhjetëra pasagjerë. Raporti i Byrosë Australiane të Sigurisë së Transportit nuk mundi të vërtetonte me siguri se shkaku ishte një bit flip, por mbeti skenari më i mundshëm pasi të tjerët u përjashtuan. Airbus tha se testoi shumë skenarë për incidentin e 30 tetorit 2025 dhe, edhe pse nuk mund të provohet përfundimisht, bit flip-i mbetet shpjegimi më i besueshëm. Problemi është se neutrolet nuk lënë asnjë gjurmë, thotë Owens.
Një zëdhënës i Airbus-it theksoi se nuk ka lidhje mes fluturimit të JetBlue dhe incidentit të Qantas në 2008. Në rastin e Qantas-it, gabimi ndodhi në një komponent që përpunon të dhënat e fluturimit, ndërsa tek JetBlue ndodhi në sistemin Elac, i cili kontrollon disa pjesë lëvizëse të krahëve.
Deklarata fillestare e Airbus-it për përditësimet e detyruara të sigurisë ka shkaktuar pyetje mes shkencëtarëve të motit hapësinor. Kompania iu referua rrezatimit intensiv diellor më 30 tetor si shkaktar të mundshëm të gabimit, por ajo ditë nuk shënoi ndonjë aktivitet të veçantë diellor. Profesor Keith Ryden i Universitetit të Surrey-t thotë se kjo është e çuditshme, ndërsa Owens shton se koha dhe vendndodhja nuk përputhen me një fenomen diellor.
Grimcat subatomike që shkaktojnë bit flip-et mund të vijnë nga shpërthime të mëdha diellore, por edhe nga burime shumë më të largëta jashtë Sistemit Diellor, përfshirë supernova dhe vrima të zeza. Airbus nuk e sqaroi pse iu referua pikërisht rrezatimit intensiv diellor në komunikimet me BBC-në. /skyweb.al
















