Maja e Gjallicës në Kukës, e lartë 2489 metra mbi nivelin e detit dhe tashmë një destinacion i njohur turistik, ka tërhequr vëmendjen e adhuruesve të alpinizmit në ditët e para të dhjetorit.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga ngjitja e një grupi alpinistësh në malin e Gjallicës, i cili është zbardhur plotësisht nga dëbora.
Me mbërritjen e dimrit, destinacionet malore po shndërrohen në zgjedhjet më të preferuara të turistëve, pasi moti i ftohtë dhe reshjet e borës krijojnë kushte të favorshme për eksplorim dhe ngjitje në terrene të vështira.
Gjallica, mali më i lartë i zonës së Kukësit, bën pjesë në vargun malor të Korabit dhe ndodhet në skajin verilindor të tij, mes pellgut të Kukësit në veriperëndim dhe pllajës së Shishtavecit në juglindje.
Nga verilindja, Gryka e Vanave e ndan këtë masiv nga mali i Koritnikut, ndërsa nga jugperëndimi, kanioni i Bicajt — i njohur ndryshe si “Shkalla e Keqe” — ku rrjedh Përroi i Shejës, e ndan nga mali i Kolesjanit.
Kreu i malit formon një kreshtë të theksuar, që zbret thikë drejt Grykës së Vanave, ndërsa shpatet e pjerrëta krijojnë rrëpira të dukshme tektonike, sidomos në zonat ku dominojnë gëlqerorët.
















