I gjithë vendi është përfshirë prej ditës së sotme nga reshjet e shiut, të cilat pritet të vijojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim. Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, përveç shiut, në zonat malore do të ketë edhe reshje dëbore. IGJEO njofton gjithashtu për përmbytje në qarqet e Vlorës dhe Kukësit.
Parashikimi i rrezikut nga përmbytjet
Sot pasdite (e premte, 02 janar) dhe nesër (e shtunë, 03 janar) priten reshje me intensitet të lartë, kryesisht në veri dhe qendër të vendit. Në qarqet Shkodër dhe Kukës, gjatë ditës së nesërme mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash. Në zonat urbane të këtyre qarqeve mund të shfaqen përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së sistemit të kanalizimeve.
“Sipas llogaritjeve të IGJEO përgjatë datave (3 -7 Janar 2026) priten reshje intensive, kryesisht në veri dhe jug të vendit. Këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.”, thuhet në njoftimin e IGJEO-s.
Nesër (e shtunë, 03 janar) priten temperaturat minimale dhe maksimale:
Bregdet: 10 / 16 °C
Vendet e ulëta: 7 / 15 °C
Vendet malore: 3 / 11 °C















