Nga Erlis Çela
Që në fillim të diskutimit duhet të biem dakord se sot nuk jemi më në epokën kur gënjeshtra kishte nevojë për redaksi propagande apo struktura të sofistikuara politike për t’u përhapur.
Sot, një individ me një telefon dhe disa mjete të inteligjencës artificiale që mund ti sogurojë falas, mund të prodhojë brenda disa minutash qindra artikuj, video, zëra të klonuar dhe lajme që duken po aq profesionale sa ato të një media serioze.
Problemi nuk është vetëm se gënjeshtra po përhapet më shpejt se dikur por se e pavërteta dhe mashtrimi po bëhen gjithnjë e më të padallueshme nga e vërteta.
Ndërkohë që risia nuk kërkohet më te ekzistenca e lajmit të rremë, por te shpejtësia, kostoja pothuaj zero dhe aftësia për ta bërë gënjeshtrën të duket si informacion i rregullt, i plotë, i arsyetuar, madje edhe i bazuar në referenca.
Është më se e qartë se Inteligjenca artificiale nuk e shpiku dezinformimin, por po ndihmon në industrializimin e prodhimit. Për të arritur këtë nivel vetëm pak vite më parë do të duheshin burime njerëzore, buxhete dhe kohë e jashtëzakonshme.
Në këtë peizazh të ri, pyetja “kush mbron të vërtetën” nuk është më as retorike dhe as filozofike, është pyetje mbi arkitekturën e besimit publik dhe të ardhmen e shoqërisë. Duhet të kemi parasysh se kur e vërteta bëhet e paqëndrueshme, aftësia jonë për të marrë vendime të arsyeshme si qytetarë, prindër, pacientë, konsumatorë, dhe si votues vihet në diskutim.
Studime ndërkombëtare tregojnë se inteligjenca artificiale ka ulur barrierat e prodhimit të përmbajtjes dezinformuese në nivele historike. Një raport i “Full Fact” për vitin 2024 paralajmëronte se përmbajtjet sintetike po e bëjnë pothuajse të pamundur dallimin e shpejtë mes reales dhe të pavërtetës.
Video të cilësuar si deepfake, tekste me natyrë bindës, me citime të fabrikuara dhe audio të manipuluara po qarkullojnë në një volum që as gazetaria profesionale dhe as organizatat e verifikimit të fakteve nuk arrijnë ti bëjnë ballë.
Megjithatë rreziku më i madh nuk është vetëm mashtrimi i drejtpërdrejtë, por nga ajo që studiuesit e quajnë “erozioni i realitetit”. Kur gjithçka mund të jetë e rreme dhe e manipuluar, edhe e vërteta fillon të vihet në dyshim.
Kjo krijon një shoqëri të ndarë mes atyre që besojnë verbërisht narrativat që u përshtaten emocioneve dhe atyre që nuk besojnë më asgjë.
Ky është terreni ku polarizimi bëhet më i lehtë, dhe ku ideja se “të gjitha palët gënjejnë” kthehet në justifikim për një cinizëm politik dhe apati qytetare.
Të dyja këto fenomene shkatërrojnë themelet e debatit publik dhe angazhimit qytetar, ashtu siç po ndodh së fundmi edhe në vendin tonë.
Në media, efekti është edhe më i menjëhershëm. Kemi një publik të lodhur nga fluksi informativ, i cili kërkon përmbledhje të shpejta, dhe e merr qartësinë apo thjeshtësinë si dicka që mund ta zëvendësojë faktin dhe të vërtetën.
Nuk është rastësi që rreziqet nga informacioni i manipuluar dhe i falsifikuar janë ngritur në nivele të larta në diskutimet globale mbi sigurinë dhe demokracinë.
Raporti i World Economic Forum për rreziqet globale e ka vendosur dezinformimin dhe keqinformimin ndër rreziqet më të rënda afatshkurtra, duke theksuar edhe rolin përshpejtues të inteligjencës artificiale në këtë drejtim.
Nga ana tjetër është më se e qartë se publiku nuk mund të mbajë i vetëm barrën e efekteve që që vijnë nga dezinformimi dhe erozioni i besimit.
Të këmbëngulësh sot në këshillën “verifiko burimin”, duket pak cinike. Sigurisht që verifikimi është një sjellje që duhet tu mësohet audiencave, po kaq nuk është e mjaftueshme. Kërkesa që çdo qytetar të bëhet verifikues profesionist duket tërësisht jo realiste dhe madje mund të thuhet që është deri diku dhe e padrejtë.
UNESCO, e cila është një organizatë pionere ne përpjekjet për edukimin mediatik të audiencave, në udhëzimet e saj për përdorimin e inteligjencës artificiale në edukim dhe kërkim shkencor, thekson nevojën për ndërtimin e kapaciteteve njerëzore dhe për politika të qarta[ Deepfakes and the crisis of knowing. ].
Lajmi i mirë është se ndërhyrjet e edukimit mediatik funksionojnë. Një analizë e publikuar në revistën shkencore Communication Research tregon se ndërhyrjet e edukimit mediatik rrisin qëndrueshmërinë ndaj keqinformimit.
Efektet mund të ndryshojnë në varësi të formatit, kohëzgjatjes dhe dizajnit të ndërhyrjes me natyrë edukuese. Kjo do të thotë se nuk mjafton një orë leksion apo një fushatë e vetme. Funksionojnë ato ndërhyjre që janë sistematike, të përsëritura dhe të lidhur me situata reale.
Në të njëjtën linjë, qasjet e quajtura “prebunking” ose inokulim psikologjik, ku njerëzit mësohen të njohin teknikat e manipulimit përpara se t’i hasin, po marrin gjithnjë e më shumë mbështetje nga studimet empirike. Parimi themelor i këtyre qasjeve lidhet me idenë se edukimi nuk duhet të fokusohet vetëm te “çfarë është e vërtetë”, por te nevoja për tu treguar njerëzve mekanizimin se si manipulohet e pavërteta.
Në realitetin e ri digjital, roli i mediave serioze është vënë përballë një prove historike. Asnjëherë më parë gazetaria profesionale nuk ka qenë kaq e domosdoshme për shoqërinë dhe njëkohësisht kaq e sfiduar nga presioni i shpejtësisë, konkurrencës dhe teknologjisë.
Në një hapësirë ku informacioni prodhohet në mënyrë masive dhe qarkullon brenda sekondash, media mbetet një nga institucionet e pakta që mund të vendosë filtër profesional mes publikut dhe kaosit informativ.
Megjithatë, pikërisht këtu lind edhe rreziku i brendshëm. Përballë kostove që rriten dhe tregut që favorizon shpejtësinë, tundimi për ta përdorur inteligjencën artificiale si zëvendësim të procesit gazetaresk dhe jo si mjet ndihmës është real.
Në planin afatshkurtër, kalimi nga asistenca teknologjike te automatizimi i përmbajtjes mund të duket ekonomikisht i leverdishëm, në pëerspektivën afatgjatë kjo përbën një regres profesional. Gazetaria humb thelbin e saj kur heq dorë nga verifikimi, konteksti dhe përgjegjësia njerëzore.
Studimet e Reuters Institute e konfirmojnë këtë realitet.
Sipas këtyre studimeve audiencat janë dukshëm më skeptike ndaj përmbajtjeve të prodhuara drejtpërdrejt nga inteligjenca artificiale, veçanërisht kur bëhet fjalë për tema politike, çështje shoqërore dhe informacion publik.
Ajo që vazhdon të ndërtojë besim është prania njerëzore në procesin editorial, transparenca mbi burimet dhe kontrolli profesional i fakteve.
Në një kohë kur gjithçka mund të manipulohet, publiku kërkon pikërisht atë që teknologjia nuk mund ta ofrojë, përgjegjësinë dhe gjykimin etik e moral.
Nëse edhe mediat serioze fillojnë të sakrifikojnë këto standarde në emër të komercializimit dhe kërkesave të platformave, atëherë mbrojtja e së vërtetës bëhet sfiduese. Media profesionale është barriera e fundit mes qytetarit dhe manipulimit masiv.
Sa i përket rregullimit, duhet pranuar se institucionet ecin më ngadalë se teknologjia. Ky është një fakt që ka shoqëruar pothuajse gjithë historinë e zhvillimit teknologjik të botës.
Europa si gjithmonë është më përpara krahasimisht me Amerikën dhe pjesët e tjera të botës përsa i përkët masave rregullatore. Bashkimi Europian po ndërton korniza ligjore dhe kuadër rregullator që synon të garantojë më shumë transparencë për përmbajtjet e gjeneruara nga AI dhe përgjegjësi më të madhe për platformat digjitale.
Megjithatë, edhe këto përpjekje shpesh mbeten një hap pas inovacionit të vazhdueshëm teknologjik. Rregullimi ligjor përballet me sfidën e një industrie që ndryshon me ritme shumë më të shpejta sesa proceset institucionale, aq më tepër kur këto procese lundrojnë në terrene të lodhshme burokratike.
Në Shqipëri, situata është edhe më problematike.
Debati mbi inteligjencën artificiale, dezinformimin dhe mbrojtjen e hapësirës informative është pothuajse inekzistent dhe shfaqet vetëm me natyrë reaguese, kur ndodh një ngjarje e rëndë apo kur është pjesë e debatit të madh politik.
Pa rregulla të qarta për sinjalizimin e përmbajtjes së gjeneruar, pa struktura mbikëqyrëse funksionale dhe pa kapacitete reale për të kuptuar dhe adresuar këto fenomene, hapësira informative shqiptare mbetet e ekspozuar ndaj abuzimit dhe manipulimit.
Nëse i rikthehemi edhe një herë pyetjes se kush e mbron të vërtetën në këtë kohë, një përgjigje e shkurtër do të ishte se e vërteta nuk mund të mbrohet më nga një aktor i vetëm. Vetëm gazetari besnik ndaj normave të profesionit nuk do mjaftonte, as ligji apo rregulloret, as një fushatë sporadike edukimi mediatik. Pavarësisht shqetësimit se përgjegjësia kur është kolektive nuk është e askujt, mendoj se po jetojmë një kohë kur mbrojtja e së vërtetës është bërë një përgjegjësi shoqërore e përbashkët.
Mbrotja duhet të funksionojë si një ekosistem ku çdo hallkë ka rolin e vet të përcaktuar. Media më shumë se kurrë duhet të fokusohet të ruajtia dhe promovimi i standardeve profesionale, sado e vështirë dhe sfiduese të duket kjo. Ndërkohë që institucionet duhet të prodhojnë politika dhe zgjidhje në një balancë thuajse përfekte mes rregullimit dhe mos cënimit të lirive. Nga ana tjetër pjesë e këtij ekosistemi janë dhe platformat digjitale dhe koporatat e inteligjencës artificiale, të cilat duhet të detyrohen të marrin përgjegjësi për ndikimin e tyre shoqëror. Së fundmi nuk duhet të harrojmë veten tonë, si qytetarë, apo konsumatorë të përmbajtjes, që kemi nevojë të kuptojmë se zhvillimi i aftësive praktike dhe mendimi kritik janë mekanizma që do na e bëjnë jetën më të thjeshtë në këtë epokë.
Në këtë kontekst, dilema nuk është më teknologjike. Nuk është çështje se sa e avancuar është AI apo sa shpejt evoluon ajo. Thelbi i problemit është moral dhe shoqëror, pavarësisht se pak po trajtohet si i tillë.
Inteligjenca artificiale është një mjet, si gjithë mjetet e tjera që na ofron teknologjia dhe në thelb nuk është as i mirë dhe as i keq. Ajo merr formën e qëllimeve njerëzore që e përdorin atë. Në këtë pike dilemma kryesore është nëse shoqëria do të zgjedhë komoditetin e informacionit të shpejtë apo do të preferojë të vërtetën dhe faktin.
Nëse shpejtësia dhe volumi fitojnë ndaj kontrollit dhe përgjegjësisë, me siguri do të jetojmë në një realitet ku gjithçka duket e besueshme dhe asgjë nuk është e sigurt.
Në një botë të tillë, demokracia dobësohet sepse qytetarët nuk kanë më një bazë të përbashkët faktesh mbi të cilat të diskutojnë. Po kështu besimi pëson goditje të fortë, pasi çdo informacion vihet në dyshim. Për rrjedhojë manipulimi kthehet në normë për faktin e ditur se konfuzioni është terreni më pjellor për abuzime dhe manipulime.
Prandaj, kur shtrojmë pyetjen “kush mbron të vërtetën në epokën e AI”, përgjigjja nuk mund të gjendet thjesht duke vendosur gishtin te teknologjia.
Ajo është, së pari, politike, sepse kërkon vullnet institucional dhe një kuadër rregullator funksional. Njëkohësisht është institucionale, pasi lidhet drejtpërdrejt me kapacitetet reale për monitorim dhe ndërhyrje efektive.
Por kjo përgjigje është edhe profesionale, sepse varet nga standardet e medias dhe gazetarisë, si edhe kulturore, sepse reflekton mënyrën se si shoqëria e vlerëson të vërtetën dhe përgjegjësinë publike.
Në epokën e inteligjencës artificiale, kërcënimi real nuk është se do të na gënjejë makina, por ideja se ne do të mësohemi të jetojmë pa e kërkuar të vërtetën.
Ky artikull u realizua me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e tij është përgjegjësia e vetme e autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Europian.
















