AKU ka njoftuar tërheqjen nga tregu të një serie të formulës për foshnje Aptamil 1 Pronutra, pas një sinjalizimi të ardhur nga Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë RASFF me numër reference 2026.0663.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të kryera nga autoritetet në Gjermani është konstatuar prania e cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus, në një formulë për infant.
Produkti i prekur është Aptamil 1 Pronutra 800G Advanced, me numër artikulli 172911 dhe datë skadence 10 nëntor 2026.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se trupat inspektuese janë angazhuar menjëherë në terren për verifikimin e rastit dhe për tërheqjen e produktit nga tregu, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
AKU u bën thirrje konsumatorëve që nëse e kanë blerë dhe e disponojnë këtë produkt, të mos e përdorin dhe ta kthejnë në pikat e shitjes ku është blerë.
Në përfundim, autoriteti thekson se garantimi i sigurisë ushqimore mbetet një përgjegjësi e përbashkët. /skyweb.al















