Kursimet e shqiptarëve kanë ndryshuar qartë drejtim gjatë vitit 2025, me një zhvendosje të fortë drejt monedhës vendase dhe një ngadalësim të ritmit të depozitave në euro. Të dhënat zyrtare tregojnë se besimi te leku është forcuar ndjeshëm, ndërsa roli i euros në kursime ka humbur terren krahasuar me vitet e mëparshme.
Në fund të vitit 2025, depozitat në lekë në sistemin bankar arritën në 710.6 miliardë lekë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me vitin paraardhës, kursimet në monedhën vendase u rritën me rreth 13 përqind, ose afro 81 miliardë lekë më shumë. Kjo përfaqëson rritjen më të madhe vjetore historike në vlerë që nga viti 2006, kur raportohen këto të dhëna.
Ritmi i zgjerimit është përshpejtuar ndjeshëm edhe krahasuar me vitin 2024, kur shtesa vjetore ishte rreth 47 miliardë lekë. Rritja e vitit 2025 rezulton pothuajse dyfish më e lartë, duke reflektuar një prirje të fortë për mbajtjen e kursimeve në monedhën vendase.
Të dhënat tregojnë se pesha kryesore e kësaj rritjeje ka ardhur nga individët, të cilët kanë shtuar kryesisht depozitat pa afat, me rreth 40 miliardë lekë. Kontributi i bizneseve ka qenë më i kufizuar, duke e bërë të qartë se ndryshimi i sjelljes është udhëhequr kryesisht nga familjet.
Ndërkohë, depozitat në euro kanë vijuar të rriten, por me një ritëm dukshëm më të ngadaltë. Në fund të vitit 2025, totali i kursimeve në monedhën e përbashkët arriti në rreth 8.7 miliardë euro. Krahasuar me një vit më parë, shtesa vjetore ishte 702 milionë euro, ose 8.7 përqind, rritja më e ulët vjetore që nga viti 2020.
Kjo ngadalësim vjen pas disa viteve me rritje të fortë të depozitave në valutë, ku kulmi u shënua në vitin 2023, me gati 1 miliard euro shtesë brenda një viti. Në vitin 2025, rritja e kursimeve në euro është shpërndarë si te individët ashtu edhe te bizneset, ndërsa vihet re një prirje e individëve për depozita me afate më të gjata se një vit.
Në terma të përgjithshëm, shtesa vjetore e depozitave në lekë prej 81 miliardë lekësh përkthehet në rreth 810 milionë euro. Së bashku me rritjen prej rreth 700 milionë euro në depozitat në valutë, rritja totale e kursimeve gjatë vitit 2025 vlerësohet në afërsisht 1.5 miliardë euro.
Në fund të vitit, stoku total i depozitave, i konvertuar në lekë, arriti në 1.48 trilionë lekë, ose rreth 15 miliardë euro. Megjithatë, rënia e euros në vitet e fundit ka ndikuar që vlera e depozitave në valutë, e shprehur në lekë, të rezultojë më e ulët, duke forcuar më tej peshën e kursimeve në monedhën vendase në strukturën e përgjithshme të depozitave.
















