Megjithatë, vetë rasti i Turqisë tregon kufijtë e këtij modeli.
Gjatë tërmetit shkatërrues të vitit 2023, fondet e Fondi për Sigurimin ndaj Katastrofave (DASK) nuk rezultuan të mjaftueshme për të përballuar dëmet masive.
Për pasojë, qeveria turke u detyrua të ndërhyjë drejtpërdrejt me fonde nga buxheti i shtetit, duke e zhvendosur sërish barrën financiare mbi financat publike.
Qytetarët kishin paguar njëherë përmes sigurimit të detyrueshëm dhe po paguanin sërish përmes buxhetit.
Ky precedent ngre pikëpyetje për modelin që po propozohet në Shqipëri.
Nëse një fond kombëtar në një ekonomi dhe popullsi shumë më të madhe si Turqia nuk arrin të përballojë një ngjarje katastrofike si tërmeti, rreziku që një skemë e centralizuar shtetërore në Shqipëri të përfundojë në të njëjtën situatë është edhe më i lartë.
Nga ana tjetër, siguruesit privatë operojnë përmes kontratave me risigurues ndërkombëtarë, duke shpërndarë rrezikun në tregje shumë më të mëdha.
Kjo u mundëson atyre të ndërhyjnë me dëmshpërblime më të shpejta dhe me kapacitete financiare më të mëdha, pa e ngarkuar drejtpërdrejt buxhetin e shtetit në rast fatkeqësish.
Në këtë këndvështrim, përdorimi i modelit turk si referencë nuk e forcon argumentin e qeverisë, por përkundrazi e ekspozon dobësinë e skemave ku shteti merr rolin e siguruesit, në vend që të jetë garant dhe mbikëqyrës i një tregu funksional sigurimesh.
Aq më tepër që zgjidhja më e mirë duke shmangur barrën në buxhet, keqmenaxhimin dhe mundësuar një përballje sa më efektive me katastrofat, do të ishtë menaxhimi i fondeve nga privati, i cili në tre dekada tashmë ka krijuar eksperiencën e duhur dhe mbi të gjitha, përmes risiguruesve jep më shumë garanci.
Tërmeti në Durrës e konfirmoi këtë.
Pati disa kompani private që dëmshpërblyen në kohë rekord të siguruarit e tyre. /skyweb.al















