Hetimet për dosjen e shumëpërfolur të AKSHI-t kanë hyrë në një fazë të re intensive, me lëvizje të dukshme si në frontin hetimor ashtu edhe në atë financiar. Disa prej personazheve kyç të skemës së dyshuar të korrupsionit janë marrë sërish në pyetje nga prokurorët e posaçëm.
Mes tyre ka qenë edhe Daniel Shima, ndërsa sipas informacioneve të siguruara nga redaksia, gjatë ditës së sotme është pyetur edhe një tjetër bashkëpunëtor i afërt i figurave kryesore të dosjes, çka sinjalizon se hetimi po thellohet në drejtim të rolit të rrjetit mbështetës dhe lidhjeve financiare.
Paralelisht me zhvillimet hetimore, Skyweb.al mëson se janë konstatuar edhe lëvizje të çuditshme në disa kompani të lidhura me persona që përmenden në dosje.
Skyweb.al mëson se këto struktura kanë nisur ndryshime pronësie dhe riorganizime të brendshme me qëllim reduktimin e ekspozimit financiar dhe shmangien e gjurmëve në transaksione.
Redaksia ka konstatuar një dokument që tregon shitjen e aksioneve të një kompanie me xhiro disa milionë euro gjatë vitit 2025, e cila rezulton të jetë transferuar te familjarë të pronarëve të deritanishëm, njohur si “prestanome” i Ergys Agasit, kundrejt një vlere simbolike prej vetëm 30 mijë eurosh.
Transaksioni dyshohet të jetë kryer me urgjencë, ndërsa kompania në fjalë ka pasur edhe penalitete administrative për vonesa në dorëzimin e bilancit financiar.
Mësohet se po analizohen komunikime dhe transferta të dyshuara mes personave të përfshirë, ndërsa verifikimet janë shtrirë edhe në lidhje të mundshme me struktura të tjera biznesi dhe kontakte institucionale.
Procesi mbetet në zhvillim dhe pritet që në vijim të ketë hapa të tjerë proceduralë, ndërsa hetimi po fokusohet gjithnjë e më shumë te ndjekja e flukseve financiare dhe identifikimi i përfituesve realë të skemës së dyshuar.
Redaksia po vijon verifikimet për të publikuar një pasqyrë më të plotë të zhvillimeve në vijim. /skyweb.al
















