Shkëndijat elektrike që përhapen në trurin tonë kanë qenë prej kohësh tepër komplekse për t’u deshifruar. Por inteligjenca artificiale po e ndryshon këtë realitet, shkruan BBC.
Një grua 52-vjeçare, e paralizuar nga një goditje në tru 19 vite më parë dhe e paaftë të fliste qartë, arriti të “shkruante” mendimet e saj në një ekran – pa nxjerrë asnjë fjalë me zë. Ajo, e identifikuar si pjesëmarrësja T16, iu nënshtrua vendosjes kirurgjikale të një matrice të vogël elektrodash në pjesën e përparme të trurit. Një kompjuter i fuqizuar nga inteligjenca artificiale përkthente sinjalet e neuroneve të saj, ndërsa ajo imagjinonte fjalët, duke i shndërruar ato në tekst në kohë reale.
Studimi u zhvillua në Stanford University, së bashku me pacientë të tjerë që vuanin nga ALS (skleroza laterale amiotrofike). Në gusht 2025, studiuesit njoftuan suksesin, duke iu afruar më shumë se kurrë një forme “leximi të mendjes”. Pak muaj më vonë, shkencëtarë në Japoni prezantuan një teknikë “mind captioning”, që përshkruan me saktësi atë që një person po sheh ose imagjinon, duke kombinuar AI me skanime jo-invazive të trurit.
Këto arritje bazohen në ndërfaqet tru-kompjuter (BCI), teknologji që ekzistojnë prej dekadash. Që në vitin 1969, neuroshkencëtari Eberhard Fetz tregoi se majmunët mund të kontrollonin një pajisje përmes aktivitetit të një neuroni të vetëm. Sot, këto sisteme mund të ndihmojnë njerëzit e paralizuar të kontrollojnë proteza ose të shkruajnë në ekran.
Përparimi i madh ka ardhur falë mësimit makinerik (machine learning), i cili identifikon modele në sinjalet nervore dhe i lidh ato me tingujt bazë të gjuhës (fonemat). Në vitin 2024, një laborator në Universitetin e Kalifornisë arriti të përkthente të folurën e tentuar të një pacienti me ALS me 97.5% saktësi dhe rreth 32 fjalë në minutë – një hap i madh drejt komunikimit të përditshëm.
Fillimisht, pacientët duhej të përpiqeshin të flisnin që sistemi të funksiononte, pasi elektrodat vendoseshin në zonën e trurit që kontrollon lëvizjet. Por studimet e fundit po përpiqen të kapin edhe “të folurën e brendshme”, mendimet që formojmë në heshtje. Sipas studiuesit Frank Willett, ata zbuluan se edhe kur pjesëmarrësit numëronin në mendje, gjurmët e fjalëve shfaqeshin në korteksin motorik dhe mund të deshifroheshin.
Ekspertë si neuroinxhinierja Maitreyee Wairagkar besojnë se në vitet e ardhshme kjo teknologji do të komercializohet. Kompani si Neuralink po zhvillojnë çipa truri për ta nxjerrë teknologjinë nga laboratori në përdorim të gjerë.
Këto zhvillime po hapin një dritare të re për të kuptuar trurin e njeriut dhe për t’u dhënë zë atyre që nuk mund të komunikojnë – dhe në të ardhmen, mund të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën si ndërveprojmë me njëri-tjetrin. /skyweb.al















