Qeveria po ndryshon strukturën e disa institucioneve qendrore duke i kaluar ato nga varësia e drejtpërdrejtë e Kryeministrisë në ministritë përkatëse.
Siç konstaton skyweb.al, ndryshimi vjen përmes një projektligji që amendon ligjin “Për burimet ujore”, ku parashikohet që Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore të mos raportojë më te Kryeministri, por të kalojë në varësi të Ministrisë së Mjedisit.
Vendimi shënon një kthesë në organizimin e administratës, pasi gjatë viteve të fundit shumë agjenci u vendosën drejtpërdrejt nën kontrollin e Kryeministrit. Sipas relacionit të projektligjit, aktualisht rreth 26 autoritete dhe agjenci raportojnë te zyra e Kryeministrit, një strukturë që është konsideruar tepër e centralizuar.
Ndryshimi lidhet edhe me rekomandimet e një raporti të SIGMA/OECD për forcimin e qendrës së qeverisjes, i cili sugjeron reduktimin e numrit të institucioneve që varen nga Kryeministria dhe shpërndarjen e tyre në ministritë përkatëse.
Kalimi i Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore te Ministria e Mjedisit është një nga hapat e parë në këtë proces. Qeveria pranon se kjo është pjesë e një riorganizimi më të gjerë të administratës, ku edhe agjenci të tjera pritet të kalojnë nga kontrolli i drejtpërdrejtë i Kryeministrisë në varësi të ministrive.
Praktikisht, pasi për vite me radhë shumë agjenci u përqendruan në Kryeministri, qeveria po nis tani një proces të kundërt, duke i “shpërndarë” ato në strukturat tradicionale të ministrive. /skyweb.al















