Energjia bërthamore vijon të mbetet një komponent i rëndësishëm në Bashkimin Europian, por pesha e saj në totalin e prodhimit energjetik po bie në afat të gjatë.

Sipas të dhënave më të fundit, energjia bërthamore përbën rreth 12% të miksit energjetik të BE-së, ndërsa vetëm 12 shtete anëtare prodhojnë energji nga kjo burim. Në vitin 2024, këto vende gjeneruan rreth 649 mijë gigavat-orë energji elektrike, një rritje me 4.8% krahasuar me një vit më parë.

Megjithatë, kjo rritje nuk përbën një trend të qëndrueshëm. Prodhimi i energjisë bërthamore ka rënë me 20% në dekadën e fundit dhe me rreth 30% që nga viti 2004, duke reflektuar një zhvendosje graduale drejt burimeve të tjera.
Struktura energjetike e BE-së dominohet nga nafta dhe produktet e saj me 38%, e ndjekur nga gazi natyror me 21% dhe energjia e rinovueshme me 20%. Energjia bërthamore renditet pas tyre, ndërsa karburantet e ngurta zënë rreth 10%.

Pesha e energjisë bërthamore ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin. Franca mbetet vendi me varësinë më të lartë, ku kjo formë energjie përbën mbi 40% të miksit energjetik dhe rreth 69% të prodhimit të energjisë elektrike. Pas saj renditen Sllovakia, Suedia dhe Bullgaria me nivele mbi 20%.
Në disa vende të tjera si Finlanda, Sllovenia dhe Çekia, energjia bërthamore mbetet një burim i rëndësishëm për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa në vende si Holanda pesha e saj është minimale.
Ndërkohë, Gjermania ka ndërprerë plotësisht prodhimin e energjisë bërthamore, duke e çuar në zero këtë burim në vitin 2024.

Në total, energjia bërthamore përbën rreth 23.4% të prodhimit të energjisë elektrike në BE, çka tregon se roli i saj mbetet i rëndësishëm për furnizimin me energji, edhe pse në rënie në raport me burimet e tjera.
Në këtë kontekst, zhvillimet gjeopolitike dhe rreziqet për furnizimin me energji po rikthejnë debatin mbi rolin e energjisë bërthamore, veçanërisht në vendet që synojnë të ulin varësinë nga importet dhe luhatjet e çmimeve.















