Çmimet e gazit natyror në Evropë kanë pësuar një rënie prej mbi 7%, duke zbritur nën nivelin e 50 eurove (rreth 58 dollarë) për megavat-orë. Kjo vjen pas një periudhe luhatjesh të forta, të nxitura nga përshkallëzimi i konfliktit në fillim të këtij muaji.
Sot, rreth orës 08:30 GMT, çmimi i gazit u tregtua afërsisht në 58 dollarë për megavat-orë, krahasuar me rekordin prej 78 dollarësh të arritur javën e kaluar.
Rënia e çmimeve lidhet me raportimet për negociata të reja që synojnë stabilizimin e situatës në Lindjen e Mesme dhe shmangien e ndërprerjeve të furnizimit me energji. Mediat raportojnë se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë një armëpushim për të lehtësuar dialogun, ndërsa The New York Times ka bërë të ditur se Washingtoni i ka paraqitur Iranit një propozim me 15 pika për zgjidhjen e konfliktit.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ka dhënë sinjale pozitive, duke e cilësuar këtë si një “dhuratë” në lidhje me naftën dhe gazin natyror. Ai shtoi se pala iraniane është shprehur se nuk do të synojë të zotërojë armë bërthamore.
Megjithatë, pavarësisht kësaj rënieje, çmimet e gazit janë rritur me më shumë se 60% që nga nisja e konfliktit më 28 shkurt. Kjo ka rikthyer shqetësimet për rritjen e kostove të energjisë dhe ndikimin në çmimet e energjisë elektrike në Evropë.
Edhe pse ka një lehtësim të përkohshëm, çmimet mbeten dukshëm më të larta krahasuar me periudhën para tensioneve, duke reflektuar paqëndrueshmërinë e vazhdueshme në tregjet energjetike evropiane. /skyweb.al
















