Rritja e çmimeve të karburanteve, e nxitur nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, nuk ka ndikuar në sjelljen e konsumatorëve në Shqipëri, të cilët vijojnë të blejnë automjete me ritme në rritje. Të dhënat e fundit tregojnë se tregu i makinave jo vetëm që nuk është ngadalësuar, por ka shënuar nivele rekord.
Sipas Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, vetëm gjatë muajit mars janë regjistruar për herë të parë 7,891 mjete, duke shënuar rritje me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë muaj.
Ecuria e tremujorit të parë konfirmon të njëjtën tendencë. Pas një fillimi më të dobët në janar, ku u shënua rënie, tregu u rikuperua ndjeshëm në shkurt dhe mars. Në total, gjatë tre muajve të parë të vitit janë shtuar rreth 22 mijë automjete të reja, duke reflektuar një rritje vjetore prej 8.4%.
Pavarësisht rritjes së çmimeve të karburanteve, pjesa dërrmuese e makinave të regjistruara vijon të jetë me naftë, benzinë apo gaz, që përbëjnë rreth 87% të totalit sipas Monitor. Ndërkohë, në mars, çmimi i naftës kaloi mbi 220 lekë për litër, ndërsa benzina dhe gazi shënuan gjithashtu rritje të ndjeshme.
Numri i përgjithshëm i mjeteve që qarkullojnë në vend ka arritur në rreth 1.07 milionë në fund të marsit, ku pjesën më të madhe e zënë autoveturat.
Në aspektin e origjinës së mjeteve, Koreja e Jugut vijon të dominojë importet, duke mbajtur 24% të tregut. Ndërkohë, Kina ka fituar terren të ndjeshëm, duke u renditur për herë të parë në vend të dytë me 18% të totalit.
Pas tyre vijnë Gjermania dhe Italia, që mbajnë një peshë të konsiderueshme, por në rënie krahasuar me tregjet aziatike.
Rritja e kostos së karburanteve ka shtyrë më shumë konsumatorë drejt alternativave elektrike. Në mars janë regjistruar 1,252 mjete elektrike, duke shënuar një rritje të fortë krahasuar me muajt e mëparshëm.
Në total, gjatë tremujorit të parë janë regjistruar 2,964 mjete elektrike, ku dominon prodhuesi kinez BYD. Krahasuar me një vit më parë, ky segment është trefishuar.
Megjithatë, pesha e makinave elektrike në treg mbetet ende e kufizuar, me rreth 13% të regjistrimeve të reja, ndërsa automjetet me karburant vijojnë të mbajnë dominimin.
















