298 ankesa janë depozituar pranë Avokatit të Tatimpaguesit gjatë vitit 2025 në rrugë elektronike dhe zyrtare. Referuar raportit vjetor të këtij institucioni, pas vlerësimit të objektit të ankimit dhe shqyrtimit të përmbajtjes së tyre, janë pranuar 136 raste të trajtuara shkresërisht, për të cilat është vijuar me shqyrtimin për zgjidhje të çështjeve të parashtruara nga tatimpaguesit. Në përfundim të çështjeve të trajtuara, në bashkëpunim me administratën tatimore, kanë gjetur zgjidhje gjithsej 48 raste, dhe janë refuzuar 88 raste për shkak mungese kompetence apo mosplotësimi kriteresh paraprake. Gjithashtu, 134 raste janë trajtuar në rrugë elektronike për shkak të numrit të lartë të ankesave lidhur me DIVA-n gjatë tremujorit të parë të vitit 2025. Për rastet e shkeljeve të të drejtave të tatimpaguesve apo veprime proceduriale të zbatuara gabim, është rekomanduar nxjerrja e përgjegjësive individuale për mosveprim nga ana e punonjësve tatimorë, në 18 raste.
Referuar raportit, gjatë këtij viti, një pjesë e konsiderueshme e ankesave, lidhet me problematikat në vonesa të ushtrimit të kontrollit tatimor. Konkretisht, konstatohet se DRT-të zbatojnë praktika shkresore të ndryshme dhe jo të standartizuara për njoftimin për kontroll tatimor, programin për kontroll tatimor dhe fillimin e procedurës së kontrollit. Jo të gjitha drejtoritë rajonale, në aktin e njoftimit të kontrollit përcaktojnë emrin e inspektorit dhe datën e fillimit dhe përfundimit të kontrollit; Njëkohësisht, është konstatuar mospërputhshmëri ndërmjet Manualit të Kontrollit Tatimor me Ligjin procedural tatimor dhe Udhëzimin lidhur me lëshimin e autorizimit nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve për inspektorin tatimor të ngarkuar me përgjegjësi për ushtrimin e kontrollit tatimor; E drejta për të shtyrë datën e fillimit të kontrollit tatimor me kërkesë të tatimpaguesit apo nga ana e administratës tatimore, për shkaqe të arsyeshme të justifikuar prej tij dhe pezullimi i afatit procedural të kontrollit në raste të kërkesës për interpretim gjatë procedurës së kontrollit tatimor.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, vihet re se është katërfishuar numri i ankesave/kërkesave të ardhura nga tatimpaguesit në adresë të Avokatit të Tatimpaguesit. Sipas raporti, kjo rritje i atribuohet kryesisht bashkëpunimit të DPT për promovimin e rolit të Avokatit të Tatimpaguesit në mbrojtje të interesave të tatimpaguesve.
Çështjet e zgjidhura në favor të tatimpaguesit nga rastet e shqyrtuara janë në masën 99 %, kundrejt 74% në vitin 2024.
Afati i shqyrtimit dhe i zgjidhjes së problematikave në të gjitha rastet krahasuar me vitin 2024, për periudha të një fluksi normal të përballueshëm të ankesave, rezulton të jetë më i përshpejtuar./Scan















