Qeveria po ndërhyn në ligjin për informacionin e klasifikuar, duke propozuar ndryshime që rrisin kontrollin mbi menaxhimin e të dhënave sekrete dhe zgjeron kompetencat e institucioneve shtetërore.
Sipas dokumentacionit që ka konsultuar skyweb.al, projektligji i ri parashikon që, në raste të veçanta, edhe funksionarë të lartë mund të marrin të drejtën për të klasifikuar informacion, por vetëm me autorizim nga Kryeministri.
Ky ndryshim konsiderohet një nga pikat më të ndjeshme, pasi rrit ndikimin e ekzekutivit mbi informacionin sekret.

Një tjetër risi është fakti se deklasifikimi i informacionit nuk do të jetë më ekskluziv vetëm për autoritetin që e ka klasifikuar, por në raste të caktuara mund të bëhet edhe nga institucione të tjera. Kjo synon të lehtësojë procedurat, por njëkohësisht ngre pikëpyetje mbi kontrollin dhe standardet e këtij procesi.
Projektligji parashikon gjithashtu që përfaqësitë diplomatike shqiptare jashtë vendit të kenë të drejtën për të shkatërruar informacion të klasifikuar në raste emergjente, si luftë apo situata të jashtëzakonshme, kur evakuimi i tij nuk është i mundur.
Në të njëjtën kohë, forcohen masat ndëshkuese për shkeljet, duke e konsideruar transportimin e parregullt të informacionit si shkelje sigurie me pasoja ligjore dhe administrative.
Kontrolli mbi zbatimin e ligjit pritet të përqendrohet më shumë tek Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, i cili do të ketë rol kyç në inspektime dhe mbikëqyrje.
Sipas relacionit shpjegues, ndryshimet synojnë rritjen e standardeve të sigurisë dhe përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe NATO-s. Megjithatë, disa prej dispozitave të reja prekin drejtpërdrejt mënyrën se si kontrollohet dhe administrohet informacioni sekret në vend. /skyweb.al















